Hamasi dorëzoi eshtrat që nuk i përkisnin pengjeve të mbetur, Netanyahu: Shkelje e armëpushimit, do të përgjigjemi

28/10/2025 14:34

Arkivoli që iu dorëzua Izraelit nga Hamasi gjatë natës besohet se përmban eshtrat e një pengu, trupi i të cilit u gjet tashmë nga forcat izraelite dy vjet më parë dhe jo një nga 13 pengjet, trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur, tha të hënën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Netanyahu tha se kjo konsiderohej shkelje e armëpushimit në Gaza dhe se Izraeli do të kundërpërgjigjej.

Nga ana e saj, organizata e armatosur palestineze pretendoi se po respektonte kushtet e armëpushimit dhe se po bënte çdo përpjekje për të gjetur mbetjet e pengjeve, por po përballej me vështirësi për shkak të mungesës së pajisjeve për të identifikuar trupat.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, tha se gjetja e të gjithë trupave ishte një sfidë për organizatën për shkak të shkallës së shkatërrimit në Gaza. Megjithatë, “Hamasi do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për të dorëzuar trupat e mbetur derisa procesi të përfundojë dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, i tha ai Reuters.

Megjithatë, Netanyahu njoftoi se do të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare më vonë sot për të vendosur “hapat e ardhshëm të Izraelit”.

Sipas Netanyahut, eshtrat e dorëzuara gjatë natës i përkasin Ofir Zarfati-t , një izraelit i cili u vra më 7 tetor 2023, në sulmin e Hamasit që shkaktoi luftën, dhe trupi i të cilit u gjet nga forcat izraelite në javët e para të luftës.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, dhe Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i kanë bërë thirrje Netanyahut të marrë masa të ashpra kundër Hamasit.

Megjithatë, çdo përgjigje padyshim që do të duhet të marrë dritën jeshile nga Uashingtoni, i cili ndërmjetësoi armëpushimin e brishtë, tha një zyrtar izraelit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të shtunën se do ta ndjekë “shumë nga afër” kthimin e trupave të pengjeve nga Hamasi gjatë dy ditëve të ardhshme.

Sipas armëpushimit, Hamasi do të lirojë të gjithë pengjet e mbijetuara në këmbim të lirimit të rreth 2,000 të burgosurve dhe robërve të luftës palestinezë, ndërsa Izraeli do të ndërpresë sulmet dhe do të tërheqë forcat e tij.

Hamasi gjithashtu ka rënë dakord të dorëzojë eshtrat e të gjithë pengjeve të vdekur që nuk janë gjetur ende, por ka thënë se do të duhet kohë për t’i gjetur dhe rikuperuar ato. Izraeli këmbëngul se grupi mund të ketë qasje të lehtë në shumicën e eshtrave.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta