Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë Kosovën/ Spiropali pritet nga Kaja Kallas: Investim strategjik për të ardhmen e përbashkët Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj ka sjellë sot në foltoren e Kuvendit tre shembuj të arrestimeve të politikanëve të njohur të huaj, për të treguar se së pari ligji është mbi të gjithë, dhe po ashtu për të treguar se hetimet ndaj tyre janë bërë me profesionalizëm dhe humanizëm.
Ai u ndal te arrestimi i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit francez, Nicolas Sarkozy dhe François Fillon, e po ashtu dhe te hetimi ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
“Gjatë muajve të fundit bota politike dhe sistemi i drejtësisë është përballur me disa shembuj që na ofrojnë leksione… Sarkozy u hetua në gjendje të lirë për 5 vite, ish-kryeministri francez po ashtu u dënua për punësime fiktive në parlament, Netanyahu përballet prej vitesh në gjendje të lirë për akuza për korrupsion, ajo që i bashkon të tre këto shembuj është mesazhi se ‘askush nuk është mbi ligjin dhe rëndësia e pavarësisë është absolute’.
Nga ana tjetër janë dëshmi integriteti, profesionalizmi dhe humanizmi në gjykimin penal. Reforma në drejtësi ka ndryshuar filozofinë e drejtësisë penale, nga një sistem i centralizuar dhe hierarkik, në një model modern të pavarësisë së brendshme dhe të jashtme të prokurorit në përputhje me standarde më të mira. Krijimi i SPAK dhe GJKKO ka qenë hap vendimtar duke ndryshuar kulturën e pandëshkueshmërisë dhe barazisë para ligjit’, u shpreh ai.
Po ashtu Xhafaj tha se “Shqipëria rezulton se numrin më të lartë të masave ‘arrest me burg’ në krahasim me vendet e BE dhe të rajonit”.
“Ne kemi 94.6 persona për 100 000 banorë me masën arrest me burg, Shqipëria ka një nga raportet më të larta të paraburgosurve në Europë mbi 50 %. Kohëzgjatja e paraburgimit në Shqipëri është shumë e lartë se mesatarja e vendeve të rajonit dhe BE.
Mesatarja në Shqipëri është 253 ditë 8.4 muaj në paraburgimin e përgjithshëm.
Situata që kemi tejkalon standardin ndërkombëtar dhe tregon nevojën urgjente për monitorim dhe vlerësim të rregullt të nevojës propocionalitetin të masave”, tha ai.
Fjala e plotë:
Personalisht kam një respekt të veçantë për punën e prokurorëve tanë, të cilët në përditshmërinë e tyre përballen me ngarkesë të madhe, kushte shpesh të vështira infrastrukturore dhe me presione të gjithanshme. Ata janë në vijën e parë të përballjes me krimin, me korrupsionin, me çdo shkelje të ligjit dhe me presionin.
Ndaj, që në momentet e para të hartimit të reformës, kam mbështetur me forcë dhe vijoj të mbetem i këtij parimi, për forcimin e statusit të tyre profesional, garancitë për pavarësi, karrierën dhe mbrojtjen e integritetit të tyre institucional.
I. Në sistemin e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe asaj të posaçme vihen re një sërë arritjesh pozitive gjatë kësaj periudhe raportuese. Prokuroria e posaçme, në statistikat raportuese, por edhe në raportet e ndryshme ndërkombëtare vlerësohet për kontributin e saj të veçantë në forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe goditjen ndaj krimit të organizuar, duke shënuar një progres të qëndrueshëm në këto fusha.
Sistemi i prokurorisë të juridiksionit të përgjithshëm ka qëndrueshmëri institucionale dhe një rritje të hetimeve proaktive në ndjekjen penale të veprave që prekin interesin publik. Disa shembuj pozitiv të raportuar në prokuroritë e rretheve Tiranë, Vlorë, Fier, Korçë etj janë një hap i mirë që duhet përgjithësuar më tej.
Evidentohet një bashkëpunim i rritur me autoritetet e huaja të drejtësisë si EUROJUST etj dhe operacioneve të përbashkëta ndërkombëtare për goditjen e veprimtarisë kriminale transnacionale. Konstatohet një angazhim pozitiv edhe në përmbushjen e rekomandimeve dhe kritereve në kuadër të procesit të anëtarësimit të shqipërisë në BE.
Të nderuar kolegë!
Gjatë muajve të fundit, bota politike dhe sistemi i drejtësisë janë përballur me shembuj domethënës të sundimit të ligjit, që na ofrojnë “leksione” të qarta për shtetin e së drejtës.
“Sarkozi, ish-Presidenti i Francës, për mbi 5 vjet u hetua dhe gjykua në gjendje të lirë, për financim të paligjshëm të fushatës. Ish-Kryeministri Fillon gjithashtu u dënua për punësime fiktive brenda stafit parlamentar, gjë që u konfirmua edhe nga Gjykata e Strasburgut.
Në Izrael, Kryeministri Benjamin Netanjahu përballet prej vitesh në gjendje të lirë me një proces gjyqësor të vazhdueshëm për korrupsion. Prezenca e tij rregullisht para gjykatës ilustron rëndësinë e pavarësisë së institucioneve dhe respektimit të procedurave, pavarësisht fuqisë politike e situatës kritike në atë vend.”
Ajo që i bashkon këto tre shembuj është mesazhi i qartë se: Askush nuk është mbi ligjin dhe se rëndësia e pavarësisë së institucioneve është absolute, pavarësisht fuqisë politike. Nga ana tjetër janë edhe dëshmi të integritetit dhe profesionalizmit, por edhe humanizmit e përgjegjshmërisë në hetimin dhe gjykimin penal.
Reforma në drejtësi ka ndryshuar rrënjësisht filozofinë e drejtësisë penale shqiptare. Nga një sistem i centralizuar e hierarkik, prokuroria ka evoluar drejt një modeli modern të pavarësisë së brendshme dhe të jashtme të prokurorit, në përputhje me standardet më të mira europiane.
Krijimi i SPAK dhe GJKKO, ka qenë një hap vendimtar duke ndryshuar tërësisht kulturën e pandëshkueshmërisë dhe barazisë para ligjit. Fenomeni i pandëshkueshmërisë ka marrë një goditje të fortë çka ka sjell edhe një rritje të ndjeshme të besimit të qyetarëve te këto institucione. Sonadazhet e këtyre viteve e tregojnë qartë këtë gjë për cilindo që është i çliruar nga paragjykimet politike. Kurrë në këto 35 vite s’ka pasur ndonjë institucion drejtësie me këtë mbështetje qytetare. Të tjerat janë fjalë boshe.
II. Pavarësisht sukseseve, do të ishte një gabim i pafalshëm nëse nuk do të shihnim me kujdes problematikat dhe sfidat që po e shoqërojnë këtë proces, siç rezulton edhe nga raportimet e vet institucioneve, debati i zhvilluar në komisione, nga një sërë opinionesh në debatin publik dhe sidomos nga gjetjet e raporteve të BE për progresin dhe shtetin e së drejtës (2024). E kuptueshme që janë probleme të rritjes, por edhe të menaxhimit dhe herë herë edhe të keqzbatimit të ligjit siç mund të jenë edhe problematika që lidhen me mangësi ligjore.
(1) Me reformën në drejtësi, prokurori është zot i çështjes që ndjek. Prokurori ashtu si edhe gjyqtari është i detyruar të jetë i pavarur në vëndimmarrjen e tij dhe të mos lejoj asnjë lloj ndikimi të brendshëm e të jashtëm vec kontrollit që kushtetuta njeh përmes gjyqsorit dhe inspektimit të ILD-së. Problemi te pavarësia nuk është ligji, përkundrazi, por mentaliteti i prokurorëve e gyqtarëve, vullneti i tyre ta mbajnë apo këmbejnë atë me favore për karierë apo përfitime të ndryshme.
Ky hap do të mbetet i mangët dhe mund të prodhoj efekte të kundërta, sikundër kemi parë në disa raste këto kohë, nëse garancia kushtetuese për pavarësin e prokurorëve e parashikuar në kushtetutë nuk do të shoqërohet edhe me një kërkesë shumë më të fortë lidhur me përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe përgjegjsinë në ushtrimin e detyrës. Ka nevojë që të ketë një rritje të numrit të kërkesave për inspektime tematike në bashkëpunim me ILD-në, për vendosjen e standardeve të unifikuara në zbatimin e ligjit ne hetim, zbatimin e udhëzimeve me karakter të përgjithshëm, për respektimin e garancive procedurale në procesin penal etj.
(2) Sot vërehet një dukuri që ka ndezur shumë debat mbi raportin e magjistratëve me mediat. Ligji e parashikon qartë se si organet e prokurorisë komunikojnë me median për transparencë ndaj publikut si një aspekt thelbësor. Por përdorimi i medias për të nxjerrë pjesë të dosjes penale apo të sekretit hetimor është i papranueshëm. Gjyqtari dhe prokurori duhet ti shërbej interesit publik përmes ligjit, jo protagonizmit apo karrierës personale. Është momenti, ndoshta jemi edhe pak të vonuar, që institucionet drejtuese të sistemit dhe veçanërisht organet e qeverisjes dhe ILD duhet të ndërhyjnë përmes mekanizmave ligjorë ekzistues ose me propozime të reja ligjore.
(3) Konstatohet një rritje e raportimeve për problematika shqetësuese lidhur me procesin e rregullt ligjor, barazinë e palëve në proces, prezumimin e pafajsisë, proporcionalitetin dhe humanizmin në vlerësimin e masave të sigurisë dhe masat e dënimit deri edhe për një lloj sjellje jo etike dhe aspak ligjore në trajtimin që ju bëhet dëshmimtarëve, personave nën hetim deri edhe vet avokatëve të tyre mbrojtës.
Preokupuese është edhe komunikimi me administratën dhe komunitetin e biznesit lidhur me trajtimin e tyre në çështje të caktuara nga disa oficerë të policisë gjyqsore apo edhe prokurorë të veçantë, ç’ka ka krijuar një klimë tensioni e intimiduese në disa raste, gjë që mund të krijoj efekte negative në klimën e biznesit dhe shërbimin e administratës publike ndaj qytetarëve nëse nuk reflektohet në kohë.
(4) Sfida mbeten edhe për aplikimin më gjerësisht të disa instituteve të reja që janë parashikuar në legjislacionin procedurial penal dhe që nuk kanë gjetur ende zbatimin e duhur. Si përshembull dënimet alternative, urdhëri penal i dënimit, gjykimit me marrëveshje etj të cilat kanë nevojë të zbatohen më efektivisht për të lehtësuar ngarkesën në punë, për ekonomi gjyqësor si dhe për të ulur numrin e të burgosurve në burgje.
(5) Jam dakort me kritikat që adresohen gjerësisht edhe në publik lidhur me masat e sigurimit personal, arrestin me burg. Kemi sot një situatë kritike, kjo edhe sipas disa raporteve dhe studimeve ndërkombëtare. Në referim të një analize të fundit të Këshillit të Europës, rezulton se Shqipëria ka numrin më të lartë të masave arrest me burg krahasimisht me mesataren e vendeve të BE-së si dhe të rajonit.
Ndërsa Belgjika ka 10 persona për 100,000 banorë, 94.6 persona për 100,000 banorë janë me masë arresti me burg në Shqipëri, një shifër kjo shumë e lartë. Shqipëria ka një nga raportet më të larta të të paraburgosurve në Evropë, mbi 50% sipas SPACE 2024, krahasuar me vendet e rajonit si: Bullgaria (5%), Maqedonia e Veriut (12%) dhe Rumania (13%). Kohëzgjatja e paraburgimit në Shqipëri është shumë më e lartë se mesatarja e vendeve europiane, por dhe atyre të rajonit. Mesatarja e kohëzgjatjes të paraburgimit në Shqipëri është 253 ditë (8.4 muaj) në paraburgimin e përgjithshëm dhe mbi 616 ditë për gjykatat speciale në një kohë që në vendet europiane është jo më shumë se 3 deri në 12 muaj maksimumi për vepra penale me dënime mbi 10 vjet. Situata që kemi tejkalon standardet ndërkombëtare dhe tregon nevojën urgjente për monitorim dhe vlerësim të rregullt të nevojës, proporcionalitetit dhe arsyeshmërisë së masave.
Kjo kërkon adresim urgjent dhe ndryshim të mentalitetit institucional, por dhe shoqëror dhe për këtë arsye ju është adresuar edhe në rezolutë të dy institucioneve të prokurorisë që të kryejnë një analizë mbi masat e sigurisë të marra në këto 5 vite (2021 – 2025), politikat e ndjekura, problematikat e konstatuara dhe masat e nevojshme për reflektim në praktikat e vendeve europiane në këtë fushë dhe standartet e rekomanduara nga KiE, BE, GJEDNJ, GjK dhe GjL përfshi dhe masat për ndërhyrje ligjore për ta sjellë këtë situatë në standartet normale europiane.
III. Sigurisht që këto problematika e sfida lidhen me prokurorin dhe bie plotësisht dakort se ka vend për reflektime e ndryshime në këtë sistem, por bëjmë gabim kur e ngushtojmë gjykimin ndaj këtyre dukurive vetëm te roli i prokurorit.
Prokurori është thjesht pala akuzatore në proces dhe ai për përgjimet, ndalimet, masat e sigurisë, vlerësimin e provave dhe dënimin nuk mund të bëj asnjë hap më shumë se sa ti paraqes ato për vlerësim, shqyrtim e vendimmarrje në gjykatën penale. Problemi është te gjyqtari, aftësia dhe integriteti i tij për të gjykuar e vendosur drejtë, me ndershmëri e humanizëm në respekt të ligjit. Është gjyqtari i gjykatës penale institucioni që mishëron garantimin e procesit të rregullt ligjor dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Gjyqtarët nuk mund të ndryshojnë natyrën e akuzës, nuk duhet të bëjnë rolin e prokurorit apo noterin e tij, pasi ata janë garantë të ligjit dhe të barazisë së palëve në proces. Personalisht gjykoj se disa dukuri negative në fushën e drejtësisë penale lidhen parasëgjithash me gjykatat, kryesisht me gjykatat e apelit penal dhe sidomos me Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë. Janë ata që duhet kontrollojnë ligjshmërinë e hetimit dhe gjykimit, të njehsojnë dhe unifikojnë praktikën gjyqsore dhe ti japin drejtim të qëndrueshëm jurisprudencës. Ndaj këtu do duhet të fokusohemi shumë më fort.
Magjistratët janë përpara një sprove të madhe – sprovës së qëndrueshmërisë morale, integritetit. Modestia, përunjësia dhe besnikëria ndaj ligjit do ti bëj ata edhe më të fortë, por edhe më të besueshëm e më efikas në misionin etyre. Ata do duhet ti kenë sytë dhe veshët të mbyllura ndaj çdo miklimi e ndikimi të padrejtë, por edhe influencimit prej sirenave politike e mediatike për ti influencuar në hetimet e gjykimet e tyre. Nuk mund të bësh drejtësi nëse preokupohesh se si të mbash balancat midis palëve apo se si të balancosh emocionet publike dhe trysninë e komenteve mediatike. Për prokurorin e gjyqtarin besnik të kushtetutës e ligjit ka vetëm një masë: Mbështetja në gërmën e ligjit në fuqi dhe në prova të forta e të besueshme!
Para disa kohësh kam lexuar një fjalim të jashtëzakonshëm të mbajtur shumë vite më parë nga një ishProkuror i Përgjithshëm i SHBA në një Konferencë Kombëtare të Prokurorëve në të cilën ai ndër të tjera theksonte se:
“Aseti më i rëndësishëm i një prokurori nuk është pushteti apo zelli i tij, por ndjenja e përmasës dhe maturisë – vetëdija se interesi i shoqërisë në ndjekjen penale nuk është të fitojë cështjen, por që të bëhet drejtësi. Për këtë arsye ai duhet të kërkojë të vërtetën dhe të jetë shërbëtor vetëm i ligjit dhe i asnjë fraksioni apo interesi individual”.
Fjalë thellësisht të mençura që mbeten koherente dhe me shumë vlerë edhe në ditët e sotshme.
Të nderuar kolegë,
Një analizë gjithëpërfshirëse është domosdoshmëri për konsolidimin e reformës në drejtësi. Sot është momenti për një analize të tillë të sistemit penal, me të gjithë aktorët përkatës, që të reflektojë realitetin e ri të punës së prokurorive dhe gjykatave në këtë fushë, të evidentojë problematikat dhe sfidat si dhe të orientojë ndërhyrjet e nevojshme ligjore, institucionale dhe strukturore në përputhje me Kushtetutën dhe standardet e Bashkimit Europian.
Top Channel