Mediat gjermane i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë krizës politike në Kosovë, e cila zgjatet tashmë prej muajsh dhe nuk mori zgjidhje as këtë fundjavë, ashtu siç shpresohej.

Për “Berliner Zeitung”, dështimi i përpjekjes së Albin Kurtit për të formuar qeverinë e zhyt vendin në një fazë të re pasigurie politike. Gazeta gjermane konsideron se ky dështim mund të shihet si simptomë e një krize më të thellë politike. “Për më shumë se nëntë muaj, bllokadat institucionale dhe grindjet e brendshme partiake e kanë paralizuar vendin. Shumë analistë besojnë se Kurti, i cili e ka qeverisur shtetin e ri ballkanik si kryeministër që nga viti 2020, është shkaku i këtij ngërçi. Qëndrimi i tij, shpesh i pakompromis dhe konfrontues ndaj kundërshtarëve politikë, ka vazhduar ta mbajë Vetëvendosjen si forcën më të fortë politike në vend – pavarësisht humbjeve – por në të njëjtën kohë e ka bërë atë praktikisht të paaftë për të formuar një koalicion.

“Berliner Zeitung” i kushton vëmendje edhe humbjes së besimit të aleatëve të Kosovës duke kujtuar mbylljen e dialogut strategjik nga Uashingtoni. “Ky është një zhvillim i rrezikshëm për ekonominë e brishtë të Kosovës. Vendi, me 1.7 milion banorë është një nga më të varfrit në Evropë, me papunësi relativisht të lartë dhe një largim të madh të rinisë. Edhe pse kushtet ekonomike janë përmirësuar vitet e fundit, pa mbështetje të huaj, ekziston rreziku i rënies masive të investimeve dhe humbjes së besimit tashmë të dobët të investitorëve ndërkombëtarë.” Në analizën e Berliner Zeitung theksohet, se “kriza ka edhe një dimension gjeopolitik. Situata e paqëndrueshme në Kosovë po monitorohet nga afër në Beograd dhe, në disa raste, komentohet me gëzim.”

“Frankfurter Rundschau” analizon edhe koston financiare, duke kujtuar se një buxhet për vitin 2026 zor se mund të arrihet në kohë, miliona euro ndihma të BE-së janë bllokuar. Analistët paralajmërojnë për humbje ekonomike në rritje për shtetin e ri, i cili është mbështetur në mbështetjen ndërkombëtare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Për gazetën gjermane “taz” nga ana tjetër  Kosova mund të përballet me zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Presidentja Vjosa Osmani, tani duhet të emërojë një kryetar të ri qeverie, nëse shumica parlamentare për të formuar një qeveri nuk mund të gjendet përsëri, shkruan gazeta në fjalë, atëherë shteti ballkanik përballet me rrezikun e zgjedhjeve të reja, teksa mbetet e paqartë nëse Kurti do të mandatohet sërish për krijimin e qeverisë apo nëse një kandidat i opozitës do të ngarkohet me detyrën e formimit të qeverisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta