Raporti i “The Guardian”: Vijat e verdha në Gaza rrezikojnë të shndërrohen në kufij të përhershëm

26/10/2025 16:55

Një vijë e verdhë, e vendosur fillimisht si shenjë e përkohshme e armëpushimit në Rripin e Gazës, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një kufi të ri de facto, ndërsa procesi i paqes mbetet i bllokuar dhe tensionet në terren vijojnë të përshkallëzohen.

Sipas një raporti të The Guardian, forcat e mbrojtjes izraelite (IDF) kanë nisur vendosjen e blloqeve të betonit ngjyrë të verdhë çdo 200 metra, për të shënuar zonat që mbeten nën kontrollin e tyre gjatë fazës së parë të armëpushimit.

Banorët vendas e përshkruajnë situatën si “një luftë që nuk ka përfunduar kurrë”.

“Sa herë afrohemi pranë shtëpive tona, fillon të qëllohet nga çdo drejtim”, rrëfen Mohammad Khaled Abu al-Hussain, 31 vjeç, baba i pesë fëmijëve nga al-Qarara, një zonë pranë vijës së verdhë.

“Nuk mund të kthehem në shtëpi. Ç’kuptim ka armëpushimi, nëse nuk mund të kthehemi?”, shtoi ai.

Shumë banorë ndajnë të njëjtën frikë, se kjo vijë, që supozohej të ishte e përkohshme, mund të shndërrohet në një ndarje të përhershme.

Më shumë se lufta, më tremb ideja që kjo vijë do të mbetet aty përgjithmonë,” shton Abu al-Hussain.

Edhe pse armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-të hyri në fuqi më 10 tetor, raportimet tregojnë se mbi 20 palestinezë vriten çdo ditë, shumë prej tyre pranë vijës së re ndarëse. Për pasojë, vetëm një numër i vogël të zhvendosurish kanë guxuar të rikthehen në zonat nën kontrollin izraelit.

Pas një sulmi në Rafah më 19 tetor, ku mbetën të vrarë dy ushtarë izraelitë, Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, urdhëroi një politikë “zjarri të lirë” përgjatë vijës. Kjo ka shtuar ndjeshëm pasigurinë dhe frikën mes civilëve palestinezë.

Presidenti i organizatës Refugees International, Jeremy Konyndyk, e ka cilësuar këtë zhvillim si “një aneksim të ngadaltë dhe faktik të Gazës”.

Në realitetin e përditshëm, Gaza është tashmë e ndarë në dy pjesë. Pjesa më e madhe e popullsisë, rreth 2.1 milionë banorë, është përqendruar në gjysmën perëndimore të territorit, mes rrënojave të bombardimeve dyvjeçare.

“Ushtria izraelite ka ngritur vinça, kulla vrojtimi dhe tanke. Kushdo që afrohet, qëllohet menjëherë. Si mund të flasim për paqe, kur nuk mund të afrohemi as në tokën tonë?”, tregon Ayman Abu Mandeel, 58 vjeç, nga al-Qarara.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta