Video/ Emigranti i dënuar për ngacmim seksual lirohet gabimisht nga burgu, arrestohet sërish pas pak ditësh
Baleti ishte jeta e tij para luftës. Tani, rreshteri Oleksandr Dushakov është ushtar në një njësit të Gardës Kombëtare të Ukrainës, i cili është aktiv pranë zonës së luftës në lindje të vendit.
“Kam qenë balerin. Në fakt, zyrtarisht ende jam. Merrem me të qysh nga fëmijëria ime, e kam traditë familjare”, tha Dushakov për Radion Evropa e Lirë (REL), në një intervistë në një hapësirë pyjore jo shumë larg Kupianskut, një qytet në rajonin e Harkivit, i cili po përballet me trysni të madhe nga forcat ruse.
“Gjyshërit e mi ishin valltarë. Edhe nëna ime do të kishte vallëzuar, por kishte shikim të dobët dhe në atë kohë nuk kishte lente kontakti, prandaj u bë pianiste shoqëruese… Dhe ajo vetë është balerinë. Bashkëshortja ime është balerinë. Edhe vajza ime tashmë është balerinë”, tregoi Dushakov.
Dushakov, 41 vjeç, është njëri nga qindra mijëra ukrainasit e profesioneve dhe shtresave të ndryshme që i janë bashkuar ushtrisë me dëshirë qëkurse Rusia e nisi pushtimin e vendit të tyre më 24 shkurt të vitit 2022.
Në mëngjesin e asaj dite ai ndodhej në Paris për një shfaqje, ku kishte mbërritur një ditë më parë dhe e kaloi gjithë natën pa gjumë, i shqetësuar për familjen në Kiev.
“Më kujtohen mesazhet e para të tyre. Ishte shumë e frikshme, sepse të shohësh luftën nga larg është edhe më keq”, theksoi ai.
Më vonë, gruaja dhe vajza e tij u larguan për në Vilnius, ndërsa ai u kthye në Kiev në mars, në një kohë kur forcat ukrainase filluan t’i zmbrapsnin trupat ruse nga periferitë e kryeqytetit, duke i shuar shpresat e Putinit për një fitore të shpejtë dhe duke hapur rrugën për një luftë të zgjatur.
Dushakov fillimisht shkoi në zyrën e rekrutimit, ku “m’i morën të dhënat dhe më thanë se do të më telefononin. Por, nuk më telefonuan kurrë”, tha ai.
“Nuk mund të rrija duarkryq, fillova të ndihmoja si vullnetar, pastrimin e gërmadhave pas bombardimeve. Së shpejti teatri u rihap, dhe u ktheva në profesionin tim si balerin në Teatrin Akademik Komunal të Operës dhe Baletit për Fëmijë dhe të Rinj në Kiev”, tregoi ai.
Por, ai iu bashkua edhe njësive civile të Mbrojtjes Territoriale të krijuara pas fillimit të pushtimit dhe deri në pranverën e vitit 2023 kaloi në ushtri, duke iu bashkuar një njësiti të Gardës Kombëtare afër një zone “ku kam mbledhur kërpudha gjatë gjithë jetës sime”.
“Kam ndjekur disa kurse trajnimi, dhe në vjeshtë brigada jonë hyri në luftime” në një pyll përgjatë kufirit midis rajoneve Luhansk dhe Donjeck në Donbas. Kam kaluar nëntë muaj atje”, tha ai.
Javët dhe muajt e parë ishin të vështirë për Dushakovin, i cili kurrë më parë nuk kishte mbajtur armë në dorë.
“Ishte një periudhë e vështirë përshtatjeje në front për një luftëtar që s’kishte luftuar kurrë”, u shpreh ai.
Por ai e gjeti forcë te pylli, diçka që e ka “adhuruar” që nga fëmijëria.
“Në momentet e rënies psikologjike, kur më dukej se gjithçka kishte mbaruar, ishte pylli ai që më mbështeti. E perceptoja si një qenie të gjallë. Më tregonte kur të shkoja, kur të mos shkoja, ku të shkoja, ku të mos shkoja. Dhe, dëshmi për këtë është fakti se jam ende gjallë”, theksoi Dushakov.
Kur u pyet nëse formimi i tij si balerin e ka ndihmuar në luftë, përgjigjja e tij ishte e prerë: “Natyrisht”.
“Bashkërendimi, aftësia për të përdorur saktësisht aq forcë sa duhet kur është e nevojshme. Dhe, një pikë tjetër shumë e rëndësishme, si artist, e di fuqinë e adrenalinës, sepse kur del në skenë për një rol ku je shumë nervoz, adrenalina ndizet”, tha ai.
Ai ia atribuon mbijetesën e tij fatit por edhe trajnimit të mirë ushtarak, gjë që shpesh mungon në Forcat e Armatosura të Ukrainës, pjesërisht sepse shumë instruktorë me përvojë janë vrarë ose ndodhen në vijën e frontit.
“Kam pasur fat që i mbijetova javës së parë, javës së dytë, javës së tretë”, tha ai.
Disa nga shokët e tij nuk kanë qenë aq me fat.
Dushakov nuk dha hollësi për të vrarët ose të plagosurit në njësitin e tij, dhe Kievi nuk i bën publike shifrat e humbjeve. Por, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) vlerësoi në qershor se mes 60.000 dhe 100.000 ushtarë ukrainas janë vrarë që nga shkurti i vitit 2022.
Dushakov pranoi se deri diku është mësuar me vdekjen e njerëzve që e rrethojnë dhe kjo ndjenjë e shqetëson.
“Ka njerëz që e përjetojnë shumë rëndë, dhe ka të tjerë që të zemërojnë sepse s’u bëhet fare vonë”, tha ai për REL-in.
“Sigurisht, është tragjike që vdesin njerëz të fortë e të mirë. Por, një pjesë e imja është pajtuar tashmë me faktin se kjo është luftë, dhe në luftë njerëzit vriten. Askush nuk është imun ndaj kësaj”, theksoi ai.
Dushakov dëshiron t’i kthehet baletit pas luftës, por nuk ka shumë shpresa, “sepse nuk e shoh vijën e përfundimit”.
“Kur iu bashkova ushtrisë, të gjithë jetonim me shpresën se lufta do të mbaronte shpejt. Por, sa më shumë kalon koha, aq më shumë e kuptoj se ky është një ekuacion me shumë të panjohura. Dhe, unë tashmë jam në një moshë kur në profesionin tim mund të dal në pension”, shtoi ai.
“Kam qenë në balet qysh nga fëmijëria. Është në gjakun tim, por do të kalojë edhe pak kohë, dhe ushtria do të jetë në gjakun tim po ashtu”, përfundoi ai. /rel
Top Channel