Video/ Emigranti i dënuar për ngacmim seksual lirohet gabimisht nga burgu, arrestohet sërish pas pak ditësh
Grupi kurd i PKK-së njoftoi se po tërheq të gjitha forcat e tij nga Turqia dhe po i zhvendos ato në veri të Irakut, si pjesë e procesit të heqjes dorë nga lufta e armatosur kundër Turqisë.
PKK-ja e bëri njoftimin në malin Kandil, baza operative e PKK-së në Irakun verior. Gjithashtu publikoi një foto që tregon 25 rebelë, të cilët kishin udhëtuar atje nga Turqia.
Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Turqisë të marrë masat e nevojshme ligjore për të çuar përpara procesin e paqes, i cili filloi një vit më parë me apelin e udhëheqësit nacionalist turk dhe partnerit qeveritar Devlet Bahçeli dhe përgjigjen pozitive të udhëheqësit të burgosur të PKK-së, Abdullah Öcalan.
Korrikun e kaluar, organizata dogji disa armë në një akt simbolik të vullnetit të mirë.
PKK nuk ka pasur asnjë veprim të armatosur brenda Turqisë për një kohë të gjatë, vitet e fundit, madje edhe para se Öcalan të bënte thirrje për shpërbërjen e organizatës. Zyrtarët turq kanë deklaruar gjithashtu vazhdimisht se “aktiviteti terrorist i PKK-së brenda Turqisë ka mbaruar”.
Njoftimi i sotëm nga PKK-ja në një farë mënyre e konfirmon këtë realitet.
Në një reagim fillestar nga Ankaraja, zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet, Omer Celik, deklaroi: “Autoritetet shtetërore kompetente do të monitorojnë zbatimin e plotë të vendimit. Ata do të sigurohen që ky njoftim të zbatohet dhe që anëtarët e PKK-së të largohen nga Turqia në përputhje me të gjitha procedurat. Ne po monitorojmë zhvillimet brenda kuadrit të një procedure të njohur për shtetin dhe siç e kuptojmë, ata do të largohen nga Turqia drejt anës irakiane.”
Top Channel