Vijojnë përmbytjet në Shkodër dhe Vaun e Dejës, të paktën 100 banesa me prezencë uji
Në podkastin “Flasim”, Rama u ndal te karta e identitetit digjitale. Ai u shpreh se karta e identitetit tashmë mund të mbahet në celulare ose kompjuter dhe do të ketë funksionimin e saj si një portofol digjital shumëfunksional.
Ai gjithashtu foli dhe për një inovacion në aeroportin “Nënë Tereza”, me një portë digjitale që do të shmangë kontrollin e pasaportave dhe do të mjaftojë vetëm pamja për të verifikuar identitetin.
“Kur koncesioni i hershëm i kartave të identitetit përfundoi, ne morëm përsipër një sfidë të madhe: krijimin e një kompanie shtetërore për prodhimin e kartave të identitetit, më të mira dhe më të lira se të mëparshmet. Kompania Identitek e përballoi me sukses këtë sfidë dhe tashmë është angazhuar për sfidën e re të identitetit digjital, pra kalimin e kartës së identitetit në celular apo kompjuter dhe funksionimin e saj si një portofol digjital shumëfunksional.
Edhe Bashkimi Europian po ecën në këtë drejtim dhe ka vendosur vitin 2027 si afatin për futjen e identitetit digjital në jetën e përditshme të Europës. Shqiptarët do ta kenë gati identitetin e tyre digjital në fillim të vitit 2026.
Një tjetër inovacion i bukur që po përgatisim është hyrja në Shqipëri nga aeroporti “Nënë Tereza” pa asnjë ndalesë dhe pa kontroll pasaporte, por përmes një porte digjitale, të cilës i mjafton pamja jote për të verifikuar identitetin tënd, duke e lidhur atë elektronikisht me biletën dhe me të dhënat e tua.
Kështu, aeroporti i Tiranës, tashmë i mirënjohur si një nga të parët aeroporte në Europë me kontroll digjital të pasaportave, do të jetë i pari aeroport në Europë me portën digjitale të hyrjes.
Kjo falë bekimit të teknologjisë digjitale, e cila u jep mundësi vendeve në zhvillim të bëjnë kapërcime epokale që, përndryshe, do të ishin të pamundura”, tha Rama.
Top Channel