Është arrestuar Juxhin Koka, 31 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pas ekstradimit nga Spanja.
Ai akuzohet nga SPAK se në shkurt 2025 korruptoi punonjës të policisë dhe vodhi 200,000 litra naftë nga një anije e ankoruar në portin e Durrësit, në bashkëpunim me të tjerë. Operacioni ndërkombëtar “The Wanted”, i koordinuar nga Interpol Tirana dhe homologët e Madridit, mundësoi ekstradimin e tij.
Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale korrupsion, kontrabandë dhe vjedhje.
Njoftimi:
Interpol Tirana/Vijon operacioni policor ndërkombëtar, i koduar “The Wanted”.
Akuzohet nga SPAK, se në muajin shkurt, 2025, korruptoi punonjësit e Policisë dhe vodhi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, 200 000 litra naftë nga një anije e ankoruar në portin e Durrësit, ekstradohet nga Spanja, 31-vjeçari.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale, ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të Interpol Madridit, u finalizua në kuadër të operacionit “The Wanted”, procedura për ekstradimin nga Spanja, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Juxhin Koka, 31 vjeç.
Në muajin shkurt, 2025, GjKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel