Mbytet varka me emigrantë në brigjet e Bodrumit në Turqi, 14 të vdekur
Kredia prej 140 miliardë eurosh e Bashkimit Evropian për Ukrainën mbetet në ajër dhe duket se do të vonohet për të paktën dy muaj të tjerë pasi kryeministri belg Bart de Wever refuzoi të binte dakord për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për ta financuar atë.
Sipas Politico, Belgjika, një nga gjashtë anëtarët themelues të BE-së dhe një avokat tradicional i kompromisit europian, arriti ta dobësojë ndjeshëm tekstin përfundimtar të publikuar pas samitit të djeshëm në Bruksel.
Rezultati nuk sjell ndonjë përparim të konsiderueshëm, por vetëm shtyn vendimin nëse do të vazhdohet me planin deri në takimin e ardhshëm të liderëve, duke rigjallëruar shqetësimet në lidhje me angazhimin e BE-së ndaj Kievit.
Bart de Wever, i cili po përballet me presion të brendshëm, thotë se propozimi paraqet rreziqe të mëdha financiare dhe ligjore për Belgjikën, ku mbahen shumica e aseteve ruse. Udhëheqësit e BE-së kanë thënë se i kuptojnë shqetësimet e tij, por nuk kanë arritur ta bindin.
“Është pak e hidhur për mua që tani po përshkruhemi si vendi që nuk e dëshiron atë”, u tha De Wever gazetarëve, duke shtuar se ideja që taksapaguesit belgë të mbajnë barrën është “plotësisht absurde”.
Qëndrimi i paqartë i Donald Trump mbi mënyrën e përballimit të pushtimit rus, pavarësisht sanksioneve të fundit mbi dy nga kompanitë më të mëdha të naftës në Rusi, e ka zhvendosur përgjegjësinë mbi Europën për të rritur mbështetjen e saj për Ukrainën.
Edhe pse qeveritë dhe institucionet e BE-së e kanë konsideruar për vite me radhë të paimagjinueshme përdorimin e fondeve ruse për të financuar Ukrainën, ideja ka filluar të fitojë terren në muajt e fundit, ndërsa lufta vazhdon në horizont.
BE-ja kishte shpresuar t’i jepte Komisionit një mandat të qartë për të paraqitur një propozim ligjor për kredinë që javën e ardhshme, por De Wever u sigurua ta parandalonte këtë.
Top Channel