Një ngjarje e pakëndshme ka ndodhur pas barazimit historik të Skënderbeut U19 me Aston Villën në Korçë, në kuadër të UEFA Youth League, ku skuadrat ndanë pikët me rezultatin 1-1.

Megjithëse rezultati ishte një sukses i rëndësishëm sportiv për të rinjtë korçarë, ndeshja është errësuar nga akuza të rënda që kanë ardhur nga pala angleze.

Në një deklaratë zyrtare, Aston Villa ka njoftuar se do të raportojë klubin shqiptar në UEFA, duke pretenduar se gjatë ndeshjes lojtarët dhe stafi i tyre janë përballur me thirrje raciste nga një pjesë e tifozëve në stadium.

Në njoftimin e publikuar nga klubi anglez thuhet: “Aston Villa mund të konfirmojë se do të raportojë KF Skënderbeun në UEFA, pas ofendimeve raciste që lojtarët dhe stafi ynë kanë pësuar nga një pjesë e tifozëve të klubit shqiptar gjatë ndeshjes së djeshme të Youth League. Klubi nuk pranon asnjë formë të tillë sjelljeje dhe e dënon në mënyrën më të ashpër çdo akt diskriminimi apo abuzimi.”

Nga ana tjetër, klubi i Skënderbeut ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj këtyre akuzave, por pritet që ngjarja të hetohet nga UEFA, e cila ka rregulla të rrepta në lidhje me sjelljet diskriminuese në fushat e saj.

Ndeshja e zhvilluar në “Stadiumin Skënderbeu” kishte tërhequr një numër të madh tifozësh, që mbështetën me entuziazëm të rinjtë korçarë në përballjen ndaj një rivali prestigjioz si Aston Villa.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta