
Një situatë e sikletshme ka shpërthyer në Argjentinë, ku ylli i Chelsea-t, Enzo Fernández, është përfshirë në një histori flirtuese me Wanda Nara, ish-bashkëshorten e Mauro Icardit dhe aktualisht moderatore e emisionit “Celebrity MasterChef”.
Sipas raportimeve të mediave argjentinase, përfshirë La Nación, tensionet kanë nisur pas një mesazhi privat që Wanda, 38 vjeç, i ka dërguar futbollistit 23-vjeçar. Gazetari Santiago Sposato pretendon se mesazhi i Wandës për Enzon ishte: “Të pashë në lagje, më shkruaj nëse do.”
Megjithatë, në vend që t’i përgjigjej, Enzo thuhet se ia tregoi menjëherë mesazhin të dashurës së tij, Valentina Cervantes, e cila ndodhet aktualisht si konkurrente në të njëjtin program televiziv që drejton Wanda. Ky reagim i futbollistit thuhet se e ka irrituar moderatoren.
Valentina, 25 vjeç, ka reaguar publikisht duke hedhur poshtë zërat për ndonjë komunikim mes partnerit të saj dhe Wandës. Në një intervistë të fundit, ajo tha: “Po, e pashë. Por jo, për aq sa di, nuk ka pasur asnjë mesazh. Enzo nuk më ka folur kurrë për ndonjë gjë të tillë. Nuk do ta mërzis për një gjë që nuk ka ndodhur.”
Wanda Nara, e njohur për jetën e saj të bujshme mediatike, ka qenë më parë e martuar me futbollistët Maxi López dhe Mauro Icardi, me të cilin qëndroi për një dekadë përpara se të divorcoheshin vitin e kaluar. Pas ndarjes, ajo është lidhur shkurtimisht me këngëtarin L-Gante dhe është përfolur për një afërsi me mbrojtësin e PSG-së, Achraf Hakimi.
Ndërkohë, Enzo Fernández dhe Valentina Cervantes janë bashkë që nga fëmijëria dhe kanë dy fëmijë: një vajzë pesëvjeçare dhe një djalë që mbush dy vjeç këtë të diel. Çifti kishte njoftuar ndarjen e tyre në tetor të vitit të kaluar, por u ribashkuan disa muaj më vonë.
Ky episod ka bërë bujë të madhe në Argjentinë, ku rrjetet sociale janë mbushur me komente për “dramat” e reja të showbizit dhe futbollit, ndërsa as Wanda Nara dhe as Enzo Fernández nuk kanë komentuar drejtpërdrejt mbi mesazhin që thuhet se i ka shkaktuar gjithë këtë zhurmë.
Top Channel