
Federata Botërore e Skive (FIS) ka konfirmuar përjashtimin e sportistëve rusë dhe bjellorusë nga Lojërat Olimpike Dimërore ‘Milano-Cortina 2026’, duke ndaluar pjesëmarrjen e tyre edhe nën statusin e “Atletëve Individualë Neutralë” (AIN).
Vendimi, i bërë publik nga institucioni i drejtuar nga Johan Eliasch shuan çdo shpresë për një rikthim të atletëve nga dy vendet e përfshira në luftën kundër Ukrainës në garat kualifikuese për Olimpiadën e ardhshme. Në komunikatën zyrtare, FIS theksoi se pas një shqyrtimi të kujdesshëm, këshilli vendosi të mos lejojë asnjë formë pjesëmarrjeje për sportistët rusë dhe bjellorusë në disiplinat e saj, përfshirë skitë alpine, skitë nordike dhe snowboard.
Ky vendim vjen në kontrast me qëndrimin e disa federatave të tjera ndërkombëtare, si ISU (për patinazhin) dhe ISMF (për ski alpinizëm), të cilat kanë pranuar statusin AIN si zgjidhje kompromisi.
Federata Ruse e Skive reagoi me një deklaratë të ashpër, duke e cilësuar këtë si “një politikë diskriminuese që shkel parimet themelore të neutralitetit sportiv”. Sipas tyre, vendimi i FIS-it nuk bazohet në vlerat e sportit, por në presione politike që dëmtojnë sportistët e pafajshëm.
Top Channel