“Shpërthen” Tebas, presidenti i La Ligës reagon ashpër pas vendimit për të anuluar Villarreal-Barcelona në Miami: Humbëm një mundësi për…

22/10/2025 17:13

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka reaguar ashpër pas vendimit për të anuluar zhvendosjen e ndeshjes Villarreal–Barcelona në Miami, duke e quajtur këtë një “çështje shteti” dhe një mundësi të humbur për futbollin spanjoll për t’u pozicionuar në skenën globale.

Në një mesazh të publikuar në rrjetin X, Tebas thekson: “Sot, futbolli spanjoll ka humbur një mundësi për të përparuar, për të projektuar veten në botë dhe për të forcuar të ardhmen e tij.”

Sipas tij, vendimi për të mos zhvilluar ndeshjen në SHBA erdhi pas presionit nga lojtarët, tifozët dhe Federata Spanjolle e Futbollit, duke u bazuar në një mentalitet të mbyllur dhe provincial, që mbrohet në emër të “traditës”.

Tebas nuk ndalet me kaq. Ai lëshon një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve që qeverisin futbollin europian, duke i akuzuar se po shkatërrojnë ligat kombëtare, të cilat ai i cilëson si “forca e vërtetë lëvizëse e industrisë europiane të futbollit”. Në të njëjtën kohë, ai sulmon edhe qeveritë europiane, që sipas tij, tregohen naive dhe pasive, duke mos kuptuar dallimin midis asaj që është thelbësore dhe asaj që është e parëndësishme.

Në mesazhin e tij, Tebas lëshon edhe një sulm të fshehur ndaj Real Madridit, që kishte kundërshtuar fort zhvendosjen e ndeshjes në Miami, duke përmendur “integritetin e garës”.

“Një apel ndaj ‘integritetit të garës’ po bëhet nga ata që e kanë vënë në dyshim pikërisht atë integritet për vite me radhë, duke ushtruar presion ndaj gjyqtarëve dhe institucioneve, duke ndërtuar narrativa të shtrembëruara apo duke përdorur presionin politik dhe mediatik si armë sportive.”

Në fund të deklaratës, presidenti i La Ligës falënderon Villarrealin dhe Barcelonën për përfshirjen në këtë iniciativë, duke theksuar se të dy klubet “nuk po mendonin vetëm për veten, por për të ardhmen e kampionatit”.

Pavarësisht pengesave, Tebas siguron se La Liga nuk do të ndalet: “Do të vazhdojmë të punojmë me bindje dhe rigorozitet që futbolli spanjoll të mbetet konkurrues, përballë atyre që kërkojnë ta shkatërrojnë atë. Këtë herë nuk ia dolëm, por ishim shumë afër.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta