
Presidenti Bajram Begaj, priti sot në një takim Komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Gjeneralmajor Özkan Ulutaş.
Kreu i Shtetit i përcolli Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Ulutaş, vlerësimin për marrjen e drejtimit të këtij misioni nga ana e Turqisë për herë të dytë, si dhe shprehu mirënjohjen për kontributin dhe angazhimin e Turqisë me trupa në misionin KFOR Kosovë.
Gjatë bisedës, Presidenti i Republikës theksoi se KFOR-i është shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Në këtë aspekt, Begaj rikofirmoi qëndrimin e tij për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, duke e cilësuar si faktor thelbësor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin.
Gjithashtu, Presidenti Begaj inkurajoi bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës, veçanërisht me Forcën e Sigurisë së Kosovës për zhvillimin, modernizimin dhe transformimin e saj në përputhje me standardet e NATO-s. Gjatë takimit u vlerësua angazhimi i KFOR-it për garantimin e një situate të qetë sigurie dhe lirinë e lëvizjes, sidomos në Veri të Kosovës.
Presidenti Begaj, rikonfirmoi angazhimin dhe mbështetjen e Shqipërisë ndaj misionit KFOR.
Top Channel