
Humbja 2-6 e Napolit ndaj PSV në Eindhoven është padyshim një faqe e errët në historinë evropiane të klubit, por jo rekordi më i rëndë për një skuadër italiane në Ligën e Kampionëve (apo edhe më herët, në Kupën e Kampionëve).
Rekordi absolut negativ i përket Juventusit, që në sezonin 1957-58 u mposht 7-0 nga Wiener SC në Vjenë. Ajo disfatë ndodhi në stadiumin “Ernst Happel”, me katër gola të shënuar nga Hamerl. Ironikisht, bardhezinjtë në atë kohë kishin në fushë emra legjendarë si Boniperti, Charles dhe Sivori, por gjithsesi dolën të poshtëruar nga fusha.
Në këtë renditje të humbjeve më të thella të skuadrave italiane në Evropë, Roma vjen pas Juventusit – dhe jo një, por tri herë:
7-1 kundër Manchester United në “Old Trafford” (sezoni 2006-07),
1-7 ndaj Bayern Munich në “Olimpico” (2014-15),
6-1 kundër Barcelonës në “Camp Nou” (2015-16).
As Interi nuk mbetet pas. Zikaltërit kanë përjetuar humbje të rënda si:
0-5 ndaj PSG-së në finale, që mbetet humbja më e thellë në historinë e finales së kompeticionit,
1-5 ndaj Arsenalit në “San Siro” në sezonin 2003-04.
Edhe Atalanta ka vendin e saj në këtë listë të errët:
0-5 ndaj Liverpool në sezonin 2020-21,
1-5 ndaj Manchester City në 2019-20,
0-4 ndaj Dinamo Zagrebit në po të njëjtin sezon.
As Milani, shtatë herë kampion i Evropës, nuk i ka shpëtuar turpit: në sezonin 1959-60, kuqezinjtë u mposhtën 5-1 nga Barcelona në “Camp Nou”.
Një renditje ku askush nuk do të ishte krenar të kryesonte
Disfatat e thella në Ligën e Kampionëve mbeten plagë të hapura për tifozët dhe klubet italiane, por gjithsesi janë pjesë e historisë së futbollit. Dhe ndërsa Napoli largohet nga Eindhoven me 6 gola në portë, historia na kujton se gjithmonë mund të ketë më keq – sidomos kur përballesh me një “rekord” si ai i Juventusit në vitin 1958.
Top Channel