
Ernest Muçi pritet të rikthehet nga minuta e parë për Trabzonsporin, në sfidën e radhës në kampionatin turk kundër Eyüpspor, e cila luhet të shtunën në orën 19:00, në kuadër të javës së 10-të të Superligës turke.
Sipas raportimeve nga mediat turke, sulmuesi shqiptar do të rimarrë një vend në formacionin titullar, pas disa ndeshjeve ku ishte lënë në stol. Rikthimi vjen pas një periudhe jo të lehtë për 24-vjeçarin, i cili ishte titullar katër javë më parë, por u zëvendësua që në pushim – një sinjal i qartë se kishte humbur besimin e trajnerit.
Megjithatë, situata duket se po ndryshon. Muçi është gati të përfitojë nga kjo mundësi e re, që mund të jetë vendimtare për vazhdimësinë e tij te Trabzonspor, ku është i huazuar nga Besiktas, klubi që e la të largohej pikërisht për shkak të mungesës së hapësirave.
Skuadra e Trabzonsporit është në moment të mirë formë, me disa fitore radhazi që e kanë ngjitur në vendin e dytë në renditje, pesë pikë pas liderit Galatasaray. Atmosfera pozitive në skuadër mund të jetë një ndihmë shtesë për Muçin, që kërkon të tregojë vlerat e tij në një ambient ku konkurrenca është e lartë.
Me një paraqitje të mirë të shtunën, Muçi ka mundësinë të kthejë faqe dhe të rifitojë një rol më të rëndësishëm në projektin e Trabzonsporit për këtë sezon.
Top Channel