Ministrja Spiropali mbërrin në Izrael, nderim viktimave të masakrës së 7 Tetorit: Kthimi i pengjeve, hap vendimtar për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor

22/10/2025 16:14

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka mbërritur ditën e sotme në Izrael në përgjigje të ftesës që mori një javë më parë nga homologu izraelit, Gideon Sa’ar.

Ministrja e Jashtme do të pritet në një takim bilateral nga homologu Sa’ar, si dhe nga Kryetari i Kuvendit të Izraelit, Amir Ohana.

Ndalesën e saj të parë në Izrael, Ministrja Spiropali e pati në vendodhjen e Festivalit Nova, në përkujtim të viktimave të masakrës së 7 tetorit të vitit 2023, që u mori jetën mbi 1200 civilëve në Izrael.

Spiropali theksoi se “kthimi i të gjitha pengjeve në shtëpi do të ishte një hap vendimtar për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor”.

“Shqipëria mbështet marrëveshjen e paqes, arritur së fundmi me ndërmjetësimin e Presidentit Trump si e vetmja mënyrë për stabilitet në Lindjen e Mesme dhe bashkëjetesën në siguri e dinjitet për të dy popujt”, deklaroi Spiropali nga Izraeli.

Diskutimet mes dy ministrave të jashtëm do të fokusohen gjithashtu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet rajonale, bashkëpunimin ekonomik, inovacionin dhe interesat e përbashkëta strategjike.

Spiropali do të vizitojë gjithashtu  Memorialin “Yad Vashem”, qendrën e përkujtimit dhe dokumentimit të Holokaustit, ku shqiptarët nderohen ndër popujt që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta