
Njëri kandidat zyrtar dhe tjetri që mbeti në tentativë. Florjan Binaj dhe Ermal Hasimja janë bërë bashkë për garën e pritshme të Tiranës.
“Florjani më mori në telefon, më kërkoi që ta mbështesja dhe për aq kohë sa kemi të njëjtat objektiva të njëjtat vlera dhe parime, pse jo dhe unë i kam thënë siç e kam thënë dhe publikisht jam i gatshëm ta mbështes. Nuk ka rëndësi a jam unë apo është Flori apo dikush tjetër. Në fund të fundit prioriteti i gjithë kësaj gjëje është të ndryshojë Tirana për mirë”, tha Ermal Hasimja.
Por, cili do të jetë roli i Ermal Hasimes në fushatën e aktorit të humorit që aspiron të ulet në karrigen e kryetarit të Bashkisë?
“Është vështire ta thuash se tani po krijohen grupet, pasi një grup do merret me pjesën e strategjisë, një grup me problemin e organizimit, strukturimit të fushatës, logjistikën etj. Kontributi më natyrshëm për mua do ishte tek pjesa e strategjisë dhe programit. Për aq sa mua do me kërkohet ndihmë dhe mbështetje do të jem plotësisht i gatshëm t’ia ofroj”, thotë Hasimja.
Deri sa të ndahen rolet, këshillat nuk mungojnë.
“I kam thënë që duhet natyrisht që të përpiqet të marrë dhe të mbledhë mendimet më të mira nga ata njerëz që mund ta ndihmojnë në formulimin e programit dhe mesazhit kjo është kryesorja. Pjesa tjetër ka të bëjë me angazhimin e partive, që secila parti do angazhoje burimet e veta njerëzore që të zbatojë në terren atë që është në strategji”, u shpreh Ermal Hasimja,
Një ditë më parë Florian Binaj theu akullin dhe u ul publikisht në një tryezë me përfaqësues të spektrit opozitar. Por ka vendosur të mbaje larg fushatës liderët e partive, të parin Sali Berishën.
“Për mua nuk ka shumë rëndësi, për aq kohë sa partitë politike kanë dhënë mbështetjen për fushatën e tij që nga ky moment s’ka rëndësi i jep dorën a si jep dorën, a del në foto ose jo. Mbështetja është dhënë, një gjë është është e sigurte ai është kandidat i pavarur, që do marre mbështetjen e partive politike, por pa qenë kandidat i një partie politike”, përfundoi Hasimja.
Gjykata Kushtetuese pezulloi zgjedhjet e pjesshme ne Tiranë deri sa te thotë fjalën e fundit me 31 tetor. Por, ndonëse beteja për kryeqytetin ngriu, kandidatët e te dy kampeve, janë vëne në lëvizje për të mbledhur vota.
Top Channel