“I kam njohur palët e përfshira në ngjarje”/ Banori i Manzës për “Shqipëria Live”: Fëmijët me pistoletë në brez…

22/10/2025 13:15

Një banor i Manzës, i cili i njihte palët e përfshira në konflikt ku mbetën të vrarë dy të rinj, ka folur për “Shqipëria Live”.

Ai u shpreh se ata ishin djem të mirë, teksa shton se njihte familjen e të kërkuarit Daniel Pepa, 21-vjeçari që qëlloi për vdekje Flori Paluçin.

“Të dy këta që u vranë kanë qenë djem shumë të mirë. E kam njohur edhe palën tjetër edhe janë si nata me ditën me ne. Njihja familjen e atij që bëri krimin, Daniel Pepa. Fëmijët me pistoletë në brez, në atë orë.

Kanë ardhur pa bukë këtu, kanë ardhur nga vende të vuajtura, ne i afruam për mirë, por që të na ndodhi kështu nuk e kemi pritur”, deklaroi një banor i Manzës që njihte personat e përfshirë në krim.

Një ngjarje e rëndë tronditi Durrësin në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, ku një sherr për kafen, u mori jetën dy të rinjve.

Ora shënonte 1:30 në një lokal pranë një karburanti, përballë komisariatit të policisë në Manëz, ku dy të rinjtë, Aranit Kurti 23 vjeç dhe Daniel Pepa, 21 vjeç ulen në tavolinë dhe i kërkojnë kafe kamerierit.

Kamerieri Alteo Pepa ishte ulur me Flori Paluçin, 33 vjeç, dhe i thotë dy të rinjve se nuk mund tu shërbente kafe, pasi ekspresi ishte i fikur.

Kjo i ka irrituar të rinjtë, dhe sherri mes tyre ka vijuar me ofendime dhe sharje. Sipas dëshmisë së kamerierit, në këto momente ka ndërhyrë Flori, i cili i ka thënë që t’i nuk mund ta fyesh pasi kamerieri është ulur në tavolinë me mua.

Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas dinamikës paraprake, rreth orës 01:45, i pari që ka qëlluar ishte Flori Paluçi i cili ka vrarë Aranit Kurtin dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin. Vrasjet të dyja jashtë lokalit, pas nisjes së sherrit brenda në lokal.

Shtatë persona janë shoqëruar për të hedhur dritë mbi dinamikën e ngjarjes. Daniel Pepa, pasi vrau Flori Paluçin duke marrë hak për shokun e tij, është arratisur. Një nga viktimat, Paluçi, ishte me precedent penal, i arrestuar për tentativë vrasjeje. Edhe Daniel Pepa rezulton i arrestuar më parë për plagosje.

Policia thotë se ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes dhe për kapjen e autorit, ndërsa gjithçka është regjistruar në kamerat e sigurisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta