
SPAK ka përfunduar hetimet për një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim pesë persona, mes tyre drejtuesin e grupit, Luc Melaj, i cili akuzohet për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikim dokumentesh”, “Grup të strukturuar kriminal”, “Ushtrim ndikimi të paligjshëm” dhe “Mbajtje pa leje të municioneve luftarake”.
Së bashku me të do të përballen me drejtësinë edhe Gëzim Camaj, Emanuel Melaj, Tonin Melaj dhe Bashkim Çokaj, të akuzuar për bashkëpunim në këtë veprimtari të paligjshme dhe shpërdorim detyre. Sipas hetimeve, grupi kishte organizuar kalimin e paligjshëm të të paktën 25 shtetasve shqiptarë, kundrejt pagesave që shkonin deri në 45 mijë dollarë për person.
Udhëtimet niseshin nga Shqipëria, kalonin nëpër disa vende europiane dhe përfundonin në SHBA, përmes Meksikës. Në këtë aktivitet janë përfshirë edhe punonjës policie në pikat kufitare, të cilët kanë ndihmuar duke mos regjistruar kalimet e personave që kishin probleme ligjore në vendet e BE-së.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të SHBA-ve, Policinë e Shtetit dhe njësinë speciale “Mburoja e Përbashkët”. SPAK njofton se hetimet vijojnë për persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet ndërkombëtar trafiku.
Top Channel