
9.4 miliardë lekë apo 97 milionë euro do të jetë fondi total që do të akordohet për bonusin e fundvitit për pensionistët nga qeveria.
Në rishikimin e fundit të buxhetit qeveria përcakton se përtej vlerës së programuar në buxhetin fillestar prej 3.5 miliardë lekë ose 36 milion eurosh, shtesa në buxhetin për bonusin këtë vit do të jetë edhe 5.9 miliardë lekë ose 61 milionë euro.
Pothuajse e njëjta vlerë u shpërnda edhe për pensionistët një vit më parë duke u ndarë kështu sipas fashave të vendosura nga qeveria.
Në aktin normativ përcaktohet se shpërndarja do të kryhet sipas skemave në vendimin e Këshillit të Ministrave. Edhe këtë vit pensionistët pritet të marrin të njëjtën vlerë nisur nga buxheti i përcaktuar. Të ndarë sipas fashave pensionistët mbi 20 mijë lekë pension pritet të marrin 10 mijë lekë bonus ndërsa ata nën 20 mijë lekë pritet të marrin një bonus 15 mijë lekë.
Në aktin normativ përcaktohet se janë rreth 756 mijë pensionistë që do të përfitojnë. Në të cilën përfshihen pensionet e invaliditetit, të pleqërisë, sociale, suplementare, pensionet e parakohshme të ushtarakëve etj.
Një vit më parë bonusi përfshiu dhe gra e burra të ve, fëmijë jetimë do të kenë bonusin e plotë 15 mijë lekë.
Ndonëse bonusi u shpërnda në fillim dhjetori 2024, qeveria shpërndau edhe një tjetër bonus atë të pranverës nga 5 deri në 10 mijë lekë.
Top Channel