
Fejesa e Princit Leka Zogu II dhe Blerta Celibashit nuk ka kaluar pa vëmendje e mediave ndërkombëtare.
Revista franceze “Point de Vue” i ka kushtuar një shkrim ceremonisë në plazhin me rërë të bardhë e ujëra të bruzta të Ksamilit.
Sipas revistës, më 11 tetor, princi, 43 vjeç, mblodhi rreth 70 miq e të afërm për të formalizuar fejesën e tij me fotografen 27-vjeçare. Pranë tyre ndodhej edhe vajza e princit me Elia Zaharian, një martesë që u finalizua me një divorc të trazuar. Geraldina, më 22 tetor feston ditëlindjen e pestë.
Në kompleksin luksoz ku u mbajt ceremonia, u shërbyen japrakë përpara se princi të ngrinte dollinë e parë. Ai falënderoi të ftuarit në anglisht, kurse Blerta foli në shqip. Më pas, të dy iu drejtuan pistës për vallëzimin e tyre të parë.
Në njërën prej unazave të shkëmbyera, shkruhet: “Dashuria i duron të gjitha.” Në një intervistë, çifti tregon përjetimin dhe pritshmëritë nga ceremonia.
Intervista e Princit Leka Zogu II dhe Blerta Celibashit
-Si dëshironit që të zhvillohej mbrëmja?
Princi Leka: Fejesa jonë duhet të reflektonte sinqeritetin dhe thjeshtësinë tonë. Nuk ishte vetëm një moment personal, por edhe një falënderim për këdo që na ka mbështetur dhe përtej kësaj, një formë të të ndarit me popullin shqiptar.
-Si vendosët ta formalizonit lidhjen tuaj?
Princi Leka: Vendimi u poq natyrshëm. Mirëkuptimi ynë është bazuar gjithnjë te besimi dhe miqësia. Ne e dinim se ishim gati kur rrugët tona personale dhe profesionale mund të lëviznin në të njëjtin drejtim.
-Mund të na e prezantoni të fejuarën tuaj?
Princi Leka: Blerta është e fortë, e kulturuar, e kujdesshme dhe tregon empati. Ajo është vegjetariane, e do natyrën dhe i pëlqen të rrëfejë histori përmes kamerës. Ajo mishëron një trajtë të modernizmit shqiptar.
-Cilat veti ju tërhoqën te njëri-tjetri?
Princi Leka: Zgjuarsia, forca e heshtur dhe ndjeshmëria kundrejt të tjerëve. Ajo sillet me dinjitet dhe tregon mirësi të vërtetë.
Blerta Celibashi: Unë u preka thellë nga integriteti i Lekës, durimi dhe dedikimi ndaj misionit të tij. Ai tregon një përulësi të rrallë për dikë në pozitën e tij. Ndjenja e tij e përgjegjshmërisë ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar më preku thellë.
-Si e parashikoni të ardhmen tuaj?
Princi Leka: Dëshira jonë është të vazhdojmë të ndërtojmë një jetë në shërbim të të tjerëve dhe me domethënie. Shqipëria po ndryshon vazhdimisht. Shpresoj që duke inkurajuar përpjekjet diplomatike dhe duke ndihmuar popullin shqiptar të përparojë drejt një të ardhmeje europiane, familja mbretërore do të vazhdojë të ruajë një ekuilibër midis republikës, historisë dhe trashëgimisë.
/TAR
Top Channel