Sllovaki, 21 vjet burg për autorin e plagosjes së kryeministrit Robert Fico, dëshmia në gjyq: Nuk doja ta vrisja

21/10/2025 12:43

Një gjykatë në Sllovaki ka dënuar me 21 vjet burg të akuzuarin për tentativë vrasjeje ndaj kryeministrit populist Robert Fico, ngjarje e ndodhur vitin e kaluar.

Ai u shpall fajtor për sulm terrorist nga Gjykata Penale e Specializuar në qytetin Banská Bystrica. Juraj Cintula, 72 vjeç, ishte akuzuar se kishte qëlluar ndaj Ficos më 15 maj 2024, ndërsa kryeministri po përshëndeste mbështetësit pas një mbledhjeje të qeverisë në qytetin Handlová, rreth 140 kilometra në verilindje të Bratislavës.

Pas sulmit, Cintula u arrestua menjëherë dhe u mbajt në paraburgim. Gjatë marrjeve në pyetje, ai kishte mohuar se ishte terrorist.
Fico u qëllua në bark dhe u transportua urgjentisht në spitalin e Banská Bystricës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pesëorëshe, e ndjekur dy ditë më vonë nga një tjetër operacion dyorësh. Sot ai është plotësisht i shëruar.

Cintula ka deklaruar se veprimi i tij ishte motivuar nga mospajtimi me politikat e qeverisë. Ai refuzoi të dëshmonte në sallë, por konfirmoi se deklaratat e dhëna më parë ndaj hetuesve për motivin e tij mbeten të vlefshme. Në tekstin e dëshmisë së tij, të lexuar në gjykatë nga një prokuror, Cintula tha se ishte kundër disa vendimeve të qeverisë Fico, përfshirë mbylljen e zyrës speciale antikorrupsion, ndalimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën dhe qëndrimin e qeverisë ndaj çështjeve kulturore.

“Vendosa ta plagos kryeministrin, por nuk kisha qëllim të vrisja askënd”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ishte lehtësuar kur mori vesh se Fico kishte mbijetuar. Fillimisht, Cintula ishte akuzuar për tentativë vrasjeje, por prokuroria e zëvendësoi akuzën me atë të sulmit terrorist, duke u bazuar në prova të reja, pa dhënë megjithatë detaje të mëtejshme.

Në fillim, autoritetet e kishin cilësuar ngjarjen si një sulm politikisht të motivuar, të kryer nga një “ujk i vetmuar”, por më pas u përfol se një person i tretë mund të ketë ndihmuar atentatorin.

Fico, i cili nuk ishte i pranishëm në proces, ka deklaruar se nuk ndien urrejtje ndaj agresorit të tij, se e ka falur dhe se nuk dëshiron të ndërmarrë veprime ligjore kundër tij. Figura gjithmonë përçarëse në Sllovaki dhe jashtë saj, Fico është rikthyer në pushtet për herë të katërt pasi partia e tij e majtë Smer (Drejtimi) fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, duke bërë fushatë me një mesazh pro-rus dhe anti-amerikan.

Kritikët e akuzojnë atë për braktisjen e linjës pro-perëndimore të Sllovakisë dhe për ndjekjen e shembullit të kryeministrit hungarez Viktor Orbán. Mijëra qytetarë kanë protestuar në Bratislavë dhe në qytete të tjera sllovake kundër qëndrimit pro-rus të Ficos dhe politikave të tij qeveritare.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta