
Planet e presidentit amerikan Donald Trump për një samit të dytë me Presidentin rus Vladimir Putin mund të vonohen, pasi takimi paraprak mes ndihmësve të tyre të politikës së jashtme është pezulluar për momentin, sipas burimeve të CNN.
Takimi, që do të zhvillohej këtë javë mes Sekretarit të Shtetit amerikan Marco Rubio dhe ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov, ishte parashikuar si hap i parë drejt organizimit të samitit Trump–Putin në Budapest, por u anulua pa një arsye të qartë.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se “pritshmëritë e ndryshme” mbi përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës mund të kenë ndikuar në vendim.
Trump kishte njoftuar të enjten se “javën e ardhshme do të ketë një takim të këshilltarëve të nivelit të lartë”, duke theksuar angazhimin e tij për paqen. Por pezullimi i bisedimeve mes Rubio dhe Lavrov hedh hije dyshimi mbi afatet e një samiti të afërt mes dy liderëve.
Zëvendëssekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha se presidenti “po punon pa u lodhur për një zgjidhje paqësore dhe diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë” dhe se “do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij për të arritur paqen”.
Sipas Departamentit të Shtetit amerikan, Rubio gjatë një telefonate me Lavrovin “theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit Rusi–Ukrainë”. Nga ana tjetër, Kremlini e përshkroi bisedën si “konstruktive”, duke përmendur “hapa konkretë për zbatimin e marrëveshjeve mes Trump dhe Putin”.
Megjithatë, burime pranë negociatave i thanë CNN-së se Moska nuk ka treguar ndryshim të dukshëm në qëndrimin e saj, çka e bën të pamundur rekomandimin e menjëhershëm për një takim të dytë presidencial.
Top Channel