
Projekti “Bernabéu Infinito” u njoftua për herë të parë 11 muaj më parë, kur presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, foli për projektin ambicioz në mbledhjen e përgjithshme vjetore të klubit.
Edhe pse Reali i Madridit, rinovoi dhe rriti kapacitetin e “shtëpisë së tij historike”, me sa duket ende drejtuesit e klubit nuk arrijnë të përmbushin kërkesën e madhe për bileta (34,000 anëtarë të klubit nuk kanë ende mundësi që të futen në këtë stadium), dhe gjithashtu duke u përballur me raste të shumta ku biletat po rishiten në tregun e zi me çmime të pabesueshme, Perez dhe drejtuesit e tjerë të klubit vendosën se kishte ardhur koha për të marrë vendime drastike.
“Ka fëmijë anëtarësh që nuk do të jenë kurrë në gjendje të marrin një biletë për të parë ekipin dhe kjo na bëri të mendojmë për zgjidhje të tjera, duke përfunduar me planin ‘Immense Bernabeu’ të cilin do ta zbatojmë me ndihmën e Apple ”, tha presidenti i Realit në atë kohë, dhe nesër (e mërkurë 22/10) në ndeshjen kundër Juventusit për Fazën e Ligës së Kampionëve, është koha për provën e parë.
“Bernabéu Infinito” synon t’u lejojë tifozëve të Real Madridit të ndjekin ndeshjet e ekipit nga shtëpia, duke mbajtur syze speciale me realitet virtual, siç janë syzet Apple Vision Pro. Kjo do t’u ofrojë atyre një përvojë që simulon praninë e tyre në fushë, me cilësi imazhi më superiore se ajo e stadiumit të vërtetë.
Ky projekt i veçantë është pjesë e një strategjie më të gjerë nga klubi për të përfshirë teknologji të përparuara për të përmirësuar përvojën e tifozëve dhe për të forcuar lidhjen e tyre me ekipin, dhe nëse eksperimenti i Real Madridit është i suksesshëm, të gjitha klubet e tjera të mëdha të futbollit padyshim që do ta ndjekin shembullin.
Top Channel