Ndërron jetë në mënyrë të papritur mjeshtri i madh amerikan i shahut, Daniel Naroditsky shuhet në moshën 29-vjeçare

21/10/2025 09:00

Komuniteti ndërkombëtar i shahut është tronditur nga lajmi i vdekjes së mjeshtrit të madh amerikan Daniel Naroditsky, i cili ndërroi jetë në mënyrë të papritur në moshën 29-vjeçare, vetëm dy javë para ditëlindjes së tij të 30-të.

Lajmi u konfirmua nga Qendra e Shahut në Charlotte, ku Naroditsky ishte trajner dhe anëtar aktiv. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.

Në një deklaratë zyrtare, klubi i tij shprehu “hidhërim të thellë” për humbjen e një figure që “inspironte lojtarë në mbarë botën”.

“Daniel ishte një shahist i talentuar, komentator dhe edukator, i admiruar nga tifozët dhe lojtarët në çdo cep të globit”, thuhet në njoftim.

Ndër figurat që shprehën ngushëllime ishte edhe mjeshtri i madh Hikaru Nakamura, aktualisht amerikani numër dy në botë, i cili shkroi në rrjetet sociale:

“Jam i shkatërruar. Kjo është një humbje e madhe për botën e shahut.”

I lindur në SHBA, Daniel Naroditsky nisi të luante shah në moshën gjashtëvjeçare, pasi u njoh me lojën përmes vëllait të tij më të madh, Alan.

Në moshën 12 vjeç, ai fitoi Kampionatin Botëror për të Rinj nën 12 vjeç në Antalia të Turqisë, duke u konsideruar një talent i rrallë.

Vetëm dy vjet më vonë, në 2010, botoi librin “Zotërimi i Shahut Pozicional”, një tekst i vlerësuar për analizat e tij të thella dhe aftësitë strategjike.

Në vitin 2013, ai fitoi Kampionatin Amerikan për të Rinj, çka e ndihmoi të merrte titullin “Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar” (Grandmaster) nga Federata Botërore e Shahut (FIDE).

Kanali i tij në YouTube arriti rreth 500 mijë abonentë, ndërsa transmetimet e tij në Twitch ndiqeshin nga mbi 340 mijë përdorues.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta