Pas publikimit të fakteve mbi procesi e përzgjedhjes së anëtarit të ri të Kushtetueses që ndritën dyshime mbi respektimin e vullnetit të votës së gjyqtarëve të gjykatës së Lartë, këtë të hënë heshtja u thye nga kryetari i kësaj gjykate Sokol Sadushi.

I pyetur nga Top Channel se si mund të prevalojë një Komision Teknik i përbërë nga kancelarja e gjykatës, kryesekretari dhe një sekretare gjyqësore mbi votën e gjyqtarëve Sadushi zgjedh të citojë ligjin.

“Nuk vendosin sekretaret, e vendos ligji, jo vetëm në gjykatën e lartë po në secilën gjykatë”, shprehet ai.

Ndërsa për sa i përket faktit se në dokumentin e mbledhjes së posaçme të Gjykatës së Lartë më datë 30 shtator, ku ishin të pranishëm 15 anëtarë për të votuar kandidatët, procesverbali I zbardhur nuk përputhet me audion ku fjala e gjyqtarëve nuk ishte pasqyruar, Sadushi thotë se në atë moment fjala ishte e komisionit.

Por siç ka raportuar dhe më herët Top Channel Në procesverbal shihet mungesa e zbardhjes së plotë të audios me zërat kundërshtues të gjyqtarëve që nuk pranojnë vlerësimin si të pavlefshëm në fletën e votimit për kandidaten më të votuar, Naureda Llagamin. Nuk është pasqyruar as ndërhyrja e kryetarit e Sokol Sadushi që i mbyti zërat dhe ju dha të drejtën e vlerësimit sekretarëve.

Audiopërgjimi:

Anisa Kulo (kancelarja): “Përsa i përket një fletë votimi, ku një nga shkaqet e pavlefshmërisë së votimit është çdo shenjë tjetër përveç shenjës së votimit, do të konsiderohet e pavlefshme. Komisioni e vlerëson të pavlefshme këtë fletë votimi, dhe për hir të transparencës, te numri 2 është bërë një shenjë tjetër përveç shenjës së votimit.”

Gjyqtarët: “E vlefshme, është po te numri 2 shenja.”

Anisa Kulo (kancelarja): “Po, meqë është një nga shkaqet përveç shenjave, asnjë lloj shënimi tjetër.”

(Zhurmë)

Sokol Sadushi: “Ju lutem, e ka komisioni fletën në dorë, asnjë nga anëtarët nuk ka të drejtë të konsultohet. Komisioni le të vendosë. Atëherë opinioni… vendimi juaj?”

Anisa Kulo (kancelarja): “Vendimi ynë është të konsiderohet i pavlefshëm kjo fletë votimi!”

Top Channel e pyeti kreun e Gjykatës së Lartë nëse kjo praktikë e ndjekur në këtë rast ishte realizuar edhe më parë nga kjo gjykatë, por si përgjigje mori këtë reagim.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta