Sot u zhvillua dita e dytë e Konferencës “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias” të organizuar nga Kuvendi, ku pjesë ishte dhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Gjatë fjalës së tij, Celibashi ka kërkuar që reforma zgjedhore të adresojë disa çështje kyçe, si financimi i partive politike e deri te garantimi i mundësisë për të votuar në banesë për personat me probleme shëndetësore.
Kreu i KQZ është ndalur edhe në mundësinë e votimit në banesë për personat të cilët e kanë të pamundur të jenë në qendrat e votimit.
“Në kuadër të organizimit dhe funksionimit të partive politike dhe financimi të fushatave zgjedhore të partive politike ngelet që të shikojmë se çfarë do të duhet të bëjmë me financimin e palëve të treta që angazhohen dhe mbështesin subjekte të caktuara politike. Duhet rregulluar ky aspekt.
Duhet të zgjidhim çështjen e votuesve që nuk mund ta ushtrojnë këtë të drejtë. Kanë të drejtën e votës por nuk mund të dalin nga banesa për arsye shëndetësore. Kjo është e papranueshme sidomos tani kur ne ia çojmë fletën e votimit edhe shqiptarëve në Australi, ndërsa ata që e kanë shtëpinë e tyre sipër ose në krah të qendrës së votimit nuk votojnë dot se nuk dalin nga banesat për shkaqe shëndetësore”, tha ai.
Top Channel