“Hamasi, pengesë për paqen, duhet të dorëzojë armët”, presidenti i Autoritetit Palestinez thirrje Italisë: Njihni shtetin e Palestinës

21/10/2025 11:38

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas (Abu Mazen) ka deklaruar se Hamasi duhet të dorëzojë armët dhe të mos ketë më asnjë rol në qeverisjen e Gazës, duke e quajtur lëvizjen një “pengesë serioze për paqen”.

Nga Ramallah, ai bëri thirrje që Italia të njohë shtetin e Palestinës, si një hap drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme të konfliktit.

Abu Mazen theksoi se Gaza është pjesë e shtetit palestinez dhe se autoriteti ligjor dhe institucional duhet të rikthehet atje përmes një administrate kalimtare dhe një force ndërkombëtare stabilizimi me mandat të OKB-së.

“Duhet të ndalohen menjëherë të gjitha veprimet izraelite që minojnë zgjidhjen me dy shtete: bllokimi i fondeve palestineze, zgjerimi i kolonive, dhuna e kolonëve dhe aneksimi i tokave,” tha ai.

Abbas njoftoi se pas përfundimit të luftës, do të organizohen zgjedhje presidenciale dhe parlamentare brenda një viti, si dhe do të shpallet një kushtetutë e përkohshme. Ai theksoi se po bëhen reforma në sistemin arsimor dhe në ligjet elektorale për t’u përshtatur me standardet ndërkombëtare.

Një nga ndryshimet e para ishte heqja e pagesave për familjet e “martirëve”, duke vendosur në vend të tyre një sistem mbrojtjeje sociale nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

I pyetur për videot e ekzekutimeve publike nga Hamasi në Gaza, Abu Mazen u shpreh: “I dënojmë me forcë ekzekutimet e paligjshme të kryera nga Hamasi. Këto janë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe pengojnë bashkimin institucional të Gazës me shtetin palestinez.”

Sipas tij, Hamas ka pranuar një kërkesë ndërkombëtare për çarmatimin dhe nuk do të ketë më asnjë rol në qeverinë e ardhshme nëse nuk transformohet në një forcë politike që njeh Izraelin dhe pranon marrëveshjet ndërkombëtare.

Abu Mazen ritheksoi se zgjidhja me dy shtete mbetet opsioni i vetëm real: një shtet palestinez sovran brenda kufijve të vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, që jeton në paqe pranë Izraelit.

Thirrja për Italinë: Njohja e shtetit të Palestinës

Presidenti Abbas kujtoi se shteti i Palestinës është njohur nga mbi 159 vende dhe është pjesë e më shumë se 100 organizatave ndërkombëtare. Ai paralajmëroi se pas fazës së parë të planit të armëpushimit, do t’i kërkojë zyrtarisht Italisë që të njohë shtetin palestinez.

Kjo nuk është vetëm një çështje simbolike, por një akt politik dhe juridik që i jep popullit tonë të drejtën për shtetësi dhe hap rrugën për një paqe të qëndrueshme,” tha Abbas.

Takimi me Melonin, Mattarellën dhe Papën

Më 7 nëntor, Abu Mazen do të vizitojë Italinë, ku do të takohet me kryeministren Giorgia Meloni, presidentin Sergio Mattarella dhe Papën Leon XIV. Ai vlerësoi rolin e Italisë në konferencat ndërkombëtare për paqe dhe ndihmën humanitare për Gazën.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta