
Kandidati i pavarur për Tiranën, Florian Binaj po bashkon forcat me përfaqësuesit e opozitës për organizimin gjatë fushatës.
Pas një mbledhje me koordinatorët e partive të opozitës, Florian Binaj në konferencën e parë mediatike, shprehu besimin për fitore, me aleancën e krijuar.
“Besoj është takimi i parë i një serie takimesh që na pret në ditët në vijim. Unë si kandidat i pavarur, falë mbështetjes së të gjithë partive të opozitës i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të na bashkohen pa dallim partie. Ky bashkim që po ndodh tani me të gjithë është një tregues i jashtëzakonshëm i asaj që pritet të ndodh”, tha Binaj.
Programi për vizionin e udhëheqjes së Bashkisë nuk e ka ende gati, por Florian Binaj tregon se ka lënë larg realizimit, partitë politike.
“Jemi duke punuar me një ekip jopartiak, që brenda një koohe të duhur, sepse gjërat që të bëhen mirë duan kohën e tyre, që të dalim të tregojmë programin për të gjithë qytetarët. Edhe kam thënë që në terren në fushatë do të jem pa kryetarët, por jam i gatshëm të takoj cdo kryetar të opozitës”, u shpreh kandidati për bashkinë e Tiranës i mbështetur nga opozita.
Ndonëse nuk do të shfaqet krah për krah me liderët, aktori që synon mandatin e kryebashkiakut në zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, duket se nuk do të shmang takimet me ta.
Top Channel