
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ka nisur zyrtarisht dënimin me pesë vjet burg për konspiracion në financimin e paligjshëm të fushatës presidenciale të vitit 2007, duke u bërë ish-udhëheqësi i parë francez që shkon pas hekurave në epokën moderne.
Sipas vendimit të gjykatës, fushata e tij dyshohet se u mbështet me miliona euro në para të gatshme nga diktatori libian Muammar Gaddafi.
70-vjeçari, u paraqit këtë mëngjes në burgun “La Santé” në jug të Parisit, ku do të qëndrojë në një qeli 9 metra katrorë, e pajisur me tualet, dush, tavolinë pune dhe televizor.
Ai do të mbahet në seksionin e izolimit për arsye sigurie, pasi burgu strehon edhe persona të dënuar për trafik droge dhe terrorizëm.
Pavarësisht se ka apeluar vendimin, gjykata urdhëroi ekzekutimin e menjëhershëm të dënimit për shkak të “seriozitetit të jashtëzakonshëm të fakteve”.
Sarkozy vazhdon të këmbëngulë për pafajësinë e tij dhe ka deklaruar: “Nuk kam frikë nga burgu. Do ta mbaj kokën lart, përfshirë edhe te portat e burgut.”
Dhjetëra mbështetës u mblodhën jashtë burgut, pas thirrjes së djalit të tij Louis Sarkozy për të treguar solidaritet.
Në shenjë mbështetjeje, Presidenti Emmanuel Macron e priti ish-presidentin në Pallatin Élysée disa ditë më parë, duke e quajtur “një gjest njerëzor ndaj një paraardhësi”.
Edhe ministri i Drejtësisë Gérald Darmanin deklaroi se do ta vizitojë në burg, duke theksuar: “Nuk mund të jem i pandjeshëm ndaj vuajtjes së një njeriu.”
Top Channel