Champions/ “Tërmet” 6-ballësh nga Barcelona, katalanasit turpërojnë Olympiacosin dhe i dërgojnë mesazh të qartë Realit para ‘El Clasicos’

21/10/2025 20:45

Barcelona ka arritur një fitore të frikshme në ndeshjen e tretë të Ligës së Kampionëve, duke mundur me rezultatin 6-1 Olympiacosin.

Sfida e luajtur në stadiumin “Olimpic Lus Companys” foli vetëm për të besuarit e Hansi Flick, të cilët nuk e vunë në asnjë moment fitoren në diskutim.

Katalanasit kaluan në avantazh që në minutën e 7’ me Fermin Lopez. Talenti spanjoll shënoi sërish në minutën e 39’, duke dyfishuar shifrat.

Në minutën e 54’, El Kaabi ngushtoi diferencën, por pas vetëm 3 minutash, miqtë ngelën me 10 lojtarë pas daljes me kartonin e dytë të verdhë të Hezze.

Nga ky moment Barcelona nuk u përmbajt. Lamine Yamal shënoi golin e tretë falë një penalltie në minutën e 68’, ndërsa pas 7 minutash, Rashford shënoi dhe të katërtin.

Fermin Lopez kompletoi tripletën personale në të 76’ dhe pas tre minutash, Rashford tundi rrjetën për herë të gjashtë në këtë mbrëmje, duke e mbyllur sfidën me një dy-golësh personal, me Barcelonën që i dërgon një mesazh të qartë Realit të Madridit, disa ditë para ‘El Clasicos’.

Në takimin tjetër të orës 18:45, dy debutuesit, Kairat Almaty dhe Pafos ndanë pikët në një barazim 0-0.

REZULTATET:

BARCELONA 6-1 OLYMPIACOS

Lopez 7’, 39’, 76’, Yamal (P) 68’, Rashford 74’, 79’ / El Kaabi 54’

KAIRAT ALMATY 0-0 PAFOS

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta