Bonus pensionistëve në fundvit/ Rishikohet për herë të tretë buxheti, më shumë para edhe për hekurudhat

21/10/2025 19:44

Pensionistët këtë fundvit do të kenë një buxhet më të madh të dedikuar nga qeveria përsa i përket bonusit të përvitshëm.

5.9 miliardë lekë do të shpërndahen për rreth 756 mijë pensionistë në muajin dhjetor. Një bonus që edhe këtë vit parashikohet të shpërndahet sipas fashave të një viti më parë.

“Shpërblimi i fundvitit për pensionistët, i cili në vijimësi ka shënuar si rritje të frekuencës, ashtu edhe një trend rritës të masës së përfitimit, ka gjithmonë në fokus përmirësimin e nivelit të plotësimit të nevojave të kategorisë vulnerabël të pensionistëve, duke krijuar një siguri në pritshmëritë e kësaj shtrese prej rreth 756 mijë pensionistësh, krahas një besimi të shtuar të tyre për një qasje të vëmendshme dhe suportuese nga ana e qeverisë.”

Ky fond është parashikuar në ndryshimet e reja të buxhetit të shtetit nëpërmjet këtij akti normativ të depozituar në faqen e Kuvendit. Në relacionin e dedikuar cilësohet se kjo nevojë erdhi pas ndryshimeve në kabinetin e ri qeveritar të Këshillit të Ministrave dhe ristrukturimit të institucioneve.

Shtesa më e madhe në buxhet i bëhet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, së cilës i jepen rreth 60 milionë euro shtesë për avancimin e projekteve të ndryshme rrugore dhe hekurudhore, Albkontrollin dhe AKSH-in.

Buxheti rritet edhe për Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Bujqësisë për programin e ujitjes, si dhe për rikonstruksione godinash për ILDKPKI dhe Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare.

Sa i takon buxhetit të njësive të vetëqeverisjes vendore, rritje janë bërë në transfertat e pakushtëzuara si Mbrojtja nga Zjarri dhe financimi i disa bashkive që nuk kanë realizuar të ardhurat mjaftueshëm, si dhe pakësim në disa zëra të tjerë brenda kategorive.

Me ndryshimet e bëra, parashikohet se niveli i të ardhurave pritet të arrijë në 770 milionë lekë ose 7.7 miliardë euro, ndërsa shpenzimet do të rriten në 831 miliardë lekë, ose 8.3 miliardë euro.

Këto vendime hynë menjëherë në fuqi pas botimit të aktit normativ në Fletoren Zyrtare.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta