Mbrojtja e ish-liderëve të UÇK-së, Christopher Hill dëshmon në Gjykatën Speciale të Hagës: Jo vetëm që Thaçi nuk ishte person i përshkruar nga Millosheviçi, por…
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, që u mbajtën dje, kanë bashkuar kandidatët shqiptarë.
Komuna e Bërvenicës do të shkojë në raundin e dytë të garës do të përballen kandidati shqiptar Haqim Ramadani nga koalicioni VLEN dhe Jovica Ilievski nga OBRM-PDUKM.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen pas mbylljes së votimeve është vendimi i Enver Pajazitit nga koalicioni AKI, i cili doli i treti në garë, për t’i dhënë përkrahje kandidatit të VLEN-it. Pajaziti është paraqitur në selinë e VLEN-it, ku ka deklaruar publikisht mbështetjen e tij për Ramadanin në raundin e dytë.
“Në këtë garë kemi qenë dy kandidatë shqiptarë dhe thamë se kush do të ketë një votë më tepër, në raundin e dytë do të punojmë bashkë. Nuk kam asnjë dyshim se kjo do të ndodhë. Sikur kjo të kishte ndodhur edhe në vitin 2021, do të kishim kryetar shqiptar. Këtë herë e dhamë testin dhe na mbetet të bashkohemi për ta rikthyer komunën te shqiptarët”, u shpreh Pajaziti në selinë e VLEN-it.
Kujtojmë se gjatë mandatit 2021–2025, Komuna e Bërvenicës është udhëhequr nga kandidati i OBRM-PDUKM-së, për shkak të përçarjes së votës shqiptare në zgjedhjet e kaluara.
Sipas rezultateve të deritanishme, me 94% të votave të numëruara, renditja vijon:
Jovica Ilievski (OBRM-PDUKM) – 2.837 vota;
Haçim Ramadani (VLEN) – 2.019 vota;
Enver Pajaziti (AKI) – 1.142 vota;
Svetlana Mitreska-Anxheloska (LSDM) – 403 vota.
Raundi i dytë i zgjedhjeve në Bërvenicë pritet të jetë vendimtar për të përcaktuar nëse komuna do të mbetet nën drejtimin e OBRM-PDUKM-së apo do të kalojë për herë të parë pas disa vitesh nën udhëheqjen e një kryetari shqiptar.
Top Channel