
Presidenti amerikan Donald Trump ka ndezur debat ndërkombëtar me deklaratat e tij më të fundit mbi luftën në Ukrainë.
Mënyra më e mirë për t’i dhënë fund konfliktit tha Trump, do të ishte ndarja e rajonit Donbas, në mënyrë që pjesa më e madhe e tij të mbetej nën kontrollin rus.
“Të ndalen në vijën e betejës, të shkojnë në shtëpi dhe të ndalojnë së vrari njerëz”, u shpreh Trump para gazetarëve.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë pas një takimi të tensionuar me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë, ku udhëheqësi ukrainas kishte shpresuar të siguronte raketat Tomahawk, armë me rreze të gjatë veprimi që do t’i jepnin Ukrainës avantazh strategjik kundër forcave ruse. Megjithatë, Zelensky u largua pa asnjë marrëveshje.
Gjatë takimit, Trump i sugjeroi Zelensky-t të hiqte dorë nga territore të mëdha në lindje të vendit, përfshirë Donetskun dhe Luhanskun, në këmbim të një tërheqjeje të pjesshme ruse nga rajonet e Zaporizhzhisë dhe Khersonit.
Sipas The Guardian Trump u ndikua nga një telefonatë e gjatë me Vladimir Putinin disa ditë më parë, gjatë së cilës u diskutua për një shkëmbim territorial që mund të sillte paqe të shpejtë në Ukrainë.
Trump vetë konfirmoi se kishte biseduar me Putinin dhe njoftoi se dy liderët pritet të takohen së shpejti në Budapest. Nga ana tjetër, Zelensky reagoi ashpër, duke theksuar se Ukraina nuk do të pranojë kurrë që t’i dorëzojë territore Rusisë.
“Ukraina nuk do t’u japë terroristëve asnjë shpërblim për krimet e tyre. Mbështetemi te partnerët tanë për të ruajtur këtë qëndrim”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Top Channel