
Një nënë e re në pritje i nënshtrohet një testi gjenetik për fëmijën e saj, siç i ka rekomanduar mjeku.
Nëna e ka pyetur nëse testi mund të dëmtonte fëmijën e saj, ndërkohë që mjeku i është shprehur se testi nuk është invaziv, është miratuar gjerësisht dhe miliona gra në mbarë botën e kanë përdorur pa problem.
Testi NIFTY, produkt i BGI Genomics në Kinë, u zhvillua me mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Të dhënat gjenetike të mbledhura për zbulimin e sindromës Down dhe anomalive të tjera kromozomale, po përdoren gjithashtu nga ushtria kineze në projekte kërkimore që synojnë atë që ajo e quan përmirësimi i cilësisë së popullsisë.
Ky test nuk është miratuar në SHBA, por përdoret gjerësisht në Evropë, Kanada dhe Australi. Dhe këtu qëndron rreziku i heshtur, informacioni gjenetik që nënat dorëzojnë vullnetarisht mund të përfundojë në databaza të kontrolluara nga shteti kinez.
“Kërcënimi më i madh sot nuk vjen nga terroristët, por nga Kina. Ata nuk shënjestrojnë vetëm ushtarët apo politikanët, por edhe familjet tona, përmes telefonave, sistemeve shëndetësore, bankave dhe madje edhe ADN-së sonë”, paralajmëron ish-oficer i CIA-s dhe më pas Drejtor i Teknologjisë në Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës Gjeohapsinore (NGA).
Sipas tij, BGI Genomics nuk është rasti i vetëm. E njëjta kompani ka shitur miliona teste COVID në mbarë botën, përfshirë edhe në tregun amerikan dhe çdo kompani kineze, me ligj, duhet të ndajë të dhënat me Partinë Komuniste.
Kjo do të thotë se informacioni juaj gjenetik mund të përdoret për krijimin e super-ushtarëve apo madje për sëmundje që prekin vetëm popullata të caktuara etnike.
Por kërcënimi nuk ndalet tek gjenetika, nga TikTok deri te aplikacionet e reja të inteligjencës artificiale si DeepSeek, Pekini ka ndërtuar një rrjet ndikimi që mund të manipulojë perceptimet, të censurojë informacionin dhe siç thotë eksperti të hakojë mendjet tona me mënyra të padukshme.
“Imagjinoni një fëmijë që rritet duke folur çdo ditë me një sistem të inteligjencës artificiale të infiltruar nga Kina, që e ushqen me ide të ndryshme për vite të tëra.”, paralajmëron ai.
Në këtë botë të re të spiunazhit, askush nuk është më i sigurt. Dhe për t’u mbrojtur, eksperti jep pesë rregulla të arta:
*Mendo si spiun, çdo foto, postim apo informacion që shpërndan mund të përdoret kundër teje.
*Verifiko burimet, mos beso asnjë lajm pa e krahasuar me disa media të ndryshme.
*Përdor fjalëkalime të ndryshme dhe enkriptim, sa më e vështirë të jetë qasja, aq më shumë dekurajohet armiku.
*Analizo teknologjinë që përdor, çdo aplikacion i ri vlen të hetohet përpara se ta pranosh në jetën tënde.
*Ruaj vetëdijen, mos u bëj paranojak, por mos harro kurrë se dikush mund të të vëzhgojë.
“Në këtë revolucion të inteligjencës, ne të gjithë jemi shënjestra të spiunazhit, na pëlqen apo jo, por me pak kujdes dhe ndërgjegjësim, mund të mbrojmë jo vetëm veten, por edhe kombin tonë”, thotë ai.
Top Channel