
Në prag të ndeshjeve të rëndësishme të mesjavës për Kupat e Europës, kampionët e Europës së PSG marrin lajmin e madh, ylli i tyre dhe fituesi i Topit të Artë, Ousmane Dembele, është pranë rikthimit në fushë pas një mungese disa-javore për shkak të një dëmtimi në kofshë.
Sipas Le Parisien, sulmuesi francez pritet të përfshihet në listën e skuadrës për ndeshjen e ardhshme të PSG-së në Ligën e Kampionëve kundër Bayer Leverkusen. Dembele u dëmtua në fillim të shtatorit gjatë një ndeshjeje me përfaqësuesen e Francës, vetëm pak minuta pasi u fut si zëvendësues.
Ky incident shkaktoi tension mes klubit parisien dhe stafit të kombëtares franceze, për shkak të shqetësimeve rreth menaxhimit të gjendjes fizike të lojtarit.
Pas një periudhe rikuperimi dhe trajtimi të kujdesshëm, 28-vjeçari tashmë është afër gjendjes optimale dhe stafi teknik i PSG-së ka sinjalizuar se ai mund të jetë pjesë e skuadrës përballë skuadrës gjermane, por padyshim për sa i përket aktivizimit të tij që nga minuta e parë ose jo do të priten kontrolle dhe verifikime të mëtejshme për të mos rrezikuar.
Top Channel