
Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në Trecate (Novara), ku tre të rinj me origjinë pakistaneze, të moshës midis 20 dhe 22 vjeç, u goditën nga një tren.
Njëri prej tyre humbi jetën, ndërsa dy të tjerët u plagosën — njëri në gjendje kritike, i dërguar me urgjencë në Spitalin “Maggiore” në Novara. I treti ka pësuar lëndime më të lehta.
Sipas hetimeve paraprake, dy prej të rinjve po përpiqeshin të kalonin shinat për të kapur trenin drejt Pioltellos, kur u përplasën. I treti, që ndodhej në platformë duke pritur një tren tjetër, u përpoq t’i ndihmonte dhe u godit nga një copë hekuri që u shkëput gjatë aksidentit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:20 të mbrëmjes së 20 tetorit. Treni, që udhëtonte nga Torino drejt Milanos, u detyrua të ndalonte në linjë për t’i dhënë mundësi ekipeve të emergjencës dhe autoriteteve të zhvillonin hetimet. Trafiku hekurudhor në zonë u ndërpre përkohësisht.
Në faqen zyrtare të Trenitalia-s thuhet se trenat rajonalë dhe ndërqytetas mund të kenë vonesa, kufizime apo edhe anulime të itinerarit. Treni i përfshirë në aksident, IC 797 Torino Porta Nuova–Salerno, nuk do të ndalet në stacionet Torino Porta Susa, Vercelli, Novara dhe Milano.
Policia po punon për identifikimin e plotë të viktimës dhe të dy të plagosurve, pasi dokumentet e tyre mungojnë, ndoshta të humbura gjatë përplasjes. Nuk ka dëshmitarë të drejtpërdrejtë, pasi pasagjerët e tjerë ishin tashmë në nënkalim në momentin e aksidentit.
Stacioni i Trecate-s, që ka vetëm dy platforma dhe një nënkalim, ndodhet në një qytet me mbi 20 mijë banorë — i dyti më i madh në provincën e Novarës pas vetë qytetit.
Sipas hipotezave fillestare të hetuesve dhe karabinierëve në vendngjarje, viktima është goditur drejtpërdrejt nga treni, ndërsa i plagosuri rëndë është prekur vetëm pjesërisht. I treti, që u afrua për t’i ndihmuar, mendohet të jetë goditur nga një fragment metali i hedhur nga shinat pas përplasjes.
Ministri i Infrastrukturës, Matteo Salvini, shprehu ngushëllimet e tij për tragjedinë dhe kërkoi një raport të detajuar mbi ngjarjen.
Top Channel