
Bolivia ka zgjedhur një president të qendrës së djathtë për herë të parë pas gati dy dekadash dominimi nga e majta.
Senatori Rodrigo Paz Pereira, 58 vjeç, fitoi balotazhin presidencial të së dielës me 54.6% të votave, kundrejt ish-presidentit konservator Jorge “Tuto” Quiroga, që mori 45.4%.
Fitorja e Paz Pereira shënon fundin e epokës politike të Movimiento al Socialismo (MAS), partisë së ish-presidentit Evo Morales dhe të pasardhësit të tij Luis Arce, e cila ka qeverisur vendin për gati 20 vjet.
Në fjalimin e tij pas fitores në La Paz, presidenti i zgjedhur u zotua të “ndërtojë një të ardhme të re për Bolivinë, me punësim, institucione të forta dhe siguri ligjore”. Ai tha se “ideologjia nuk vendos ushqim në tryezë, por puna po”, duke premtuar mbështetje për bizneset e vogla dhe rritje të investimeve.
Paz Pereira, bir i ish-presidentit Jaime Paz Zamora (1989–1993), e paraqiti veten si “një outsider politik”, pavarësisht eksperiencës si këshilltar bashkiak, deputet dhe kryetar bashkie. Ai fitoi mbështetje të gjerë në zonat që dikur ishin bastione të MAS-it, duke udhëtuar në mbi 220 komuna gjatë fushatës.
Një faktor vendimtar në fitoren e tij ishte kandidati për nënpresident, ish-kapiteni i policisë Edman “Capt” Lara Montaño, i njohur për denoncimet ndaj korrupsionit në polici që u bënë virale në TikTok. Ai tha pas fitores se “prioritet do të jetë stabilizimi i ekonomisë, furnizimi me karburante dhe lufta ndaj korrupsionit”.
Paz Pereira do të përballet me një kongres të fragmentuar, pasi partia e tij, Partido Demócrata Cristiano (PDC), megjithëse doli forcë e parë, nuk ka shumicën për të kaluar ligje apo reforma.
Ndër sfidat e para për presidentin e ri janë kriza ekonomike më e rëndë në 40 vite, mungesa e karburanteve dhe inflacioni i lartë, si dhe çështja e hapur ligjore ndaj ish-presidentit Evo Morales, ndaj të cilit ekziston një urdhër arresti për abuzim seksual me një të mitur.
Me këtë rezultat, Bolivia hyn në një epokë të re politike, ndërsa vetë Paz Pereira ka paralajmëruar se do të kërkojë afrim me SHBA-në dhe me qeverinë e Donald Trump, duke theksuar se “Bolivia nuk do të mungojë më në hartën ekonomike dhe energjetike botërore”.
Top Channel