Zbulohen e-mailet tronditëse, Epstein financoi për 15 vite Sarah Ferguson. Ish bashkëshortja e Princit Andrew festoi lirimin e financierit famëkeq me vajzat e saj

19/10/2025 09:24

Jeffrey Epstein, dyshohet se ka financuar fshehurazi Sarah Ferguson për më shumë se 15 vite, shumë më tepër sesa shuma prej 15 mijë paundësh që Dukesha e York-ut ka pranuar publikisht se ka marrë nga ai.

Në e-maile të pazbuluara më parë, të cilat janë pjesë e një dosjeje të madhe nën shqyrtim nga Kongresi Amerikan, Epstein e përshkruan Fergie si përfituese të vazhdueshme dhe “lypëse”, duke pretenduar madje se ajo ishte e para që festoi lirimin e tij nga burgu, madje duke marrë me vete edhe dy vajzat e saj, Princeshën Beatrice dhe Princeshën Eugenie.

Në atë kohë, Beatrice ishte 20 vjeç dhe Eugenie 19, të njëjtën moshë me shumë prej viktimave të Epstein.

Emra të njohur dhe përfshirje tronditëse

E-mailet e siguruara nga “The Mail on Sunday” hedhin dritë mbi një marrëdhënie të gjatë dhe të errët mes Epstein dhe Fergie:

Dukesha ka kërkuar borxh deri në 100,000 dollarë për të mbuluar “fatura të vogla që po e shtynin drejt greminës financiare”;

Ka bërë shaka duke pyetur nëse ishulli privat i Epstein ishte “i ndaluar për falimentuesit”;

Epstein ka shlyer borxhet e Fergie ndaj një ish-punonjësi, por është zemëruar kur ajo nuk ia ktheu siç premtoi;

Në publik e mohoi miqësinë, ndërsa në prapaskenë kërkonte ndihmë për ngritjen e një fondacioni bamirësie me ndihmën e Epstein;

Epstein i dërgonte madje edhe “fjalët që duhet të përdorte” përpara një interviste të saj me Oprah Winfrey.

Daily Mail shkruan se një burim i afërt ka deklaruar: “Sarah dhe Andrew gjithmonë kanë pretenduar se i kanë prerë lidhjet me Epstein pas dënimit të tij. E vërteta është ndryshe, ishte Epstein ai që i la ata, i lodhur nga kërkesat e pafundme për para nga Sarah.”

Hipokrizi publike dhe përulësi private

Në vitin 2011, Fergie kishte dhënë një intervistë për London Evening Standard, ku kërkonte falje për marrjen e 15 mijë paundëve nga Epstein, duke e quajtur një “gabim të madh në gjykim”.

Por reagimi i Epstein ishte i ashpër: në një email dërguar mikut të tij, agjentit të modës Jean-Luc Brunel, i cili më vonë u arrestua për akuza përdhunimi dhe vdiq në burg, Epstein shkruante: “Dukesha që kam ndihmuar financiarisht për 15 vite tani thotë se nuk do të ketë më lidhje me një pedofil.”

Epstein i kërkoi një letër publike faljeje, duke kërcënuar me padi nëse ajo nuk e dërgonte. Disa versione të letrës ndodhen në arkivat e emailit, përfshirë këtë:

I dashur Jeffrey, dua të dish me siguri se shumë nga ato që janë thënë në shtyp për ty dhe që më atribuohen mua janë shpikje të qëllimshme ose ekzagjerime të neveritshme… Nuk pati asnjëherë pretendime për pedofili… Je mik besnik i familjes sime prej vitesh.”

Në një tjetër email të vitit 2011, Epstein shkruante: “Ajo erdhi e para për të festuar lirimin tim me të dyja vajzat e saj. Më ka kërkuar ndihmë për bamirësi. I bleva edhe emrin e domain-it për ‘Mother’s Army’.”

Paratë, borxhet dhe Princesha në hije

Në një komunikim të janarit 2010, Fergie i shkruante Epstein: “Ka ndonjë mundësi të më japësh 50 apo 100 mijë dollarë për të kaluar disa fatura të vogla?”

Edhe pse Epstein po përballej me kufizime në llogaritë bankare për shkak të mbikëqyrjes ligjore, Fergie këmbëngulte që ai të kërkonte ndihmë nga biznesmeni Giuseppe Cipriani.

Epstein gjithashtu ka shlyer një pagesë prej 15 mijë paundësh për ish-asistentin personal të Fergie, John O’Sullivan, gjë që u konfirmua edhe në një email me Princin Andrew, ku ai i shkruante: “JS done.” Andrew u përgjigj: “Fantastike!!! Faleminderit. Faleminderit.”

Rënia e një çifti mbretëror

Ky zbulim vjen vetëm disa javë pasi Sarah Ferguson dhe Princi Andrew hoqën dorë nga titujt e tyre mbretërorë, pas presionit të madh publik dhe mediatik për lidhjet e tyre me Epstein.

Një burim pranë hetimeve tha për median britanike: “Sarah dhe Andrew ishin të zhytur deri në fyt në lidhjet me Epstein. E gjithë kjo kishte të bënte me paranë. Ishte e qartë se kjo do të ishte rënia e tyre.”

FOTO GALERI
1/13

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta