
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se po pezullonte ndihmën financiare për Kolumbinë, duke akuzuar Presidentin e vendit, Gustavo Petro, për dështim në luftimin e trafikut të drogës .
“Që nga sot, këto pagesa ose çdo formë tjetër pagese apo subvencioni nuk do të bëhet” për Kolumbinë, shkroi Trump në Truth Social – me shkronja të mëdha – pa specifikuar se për cilat subvencione apo ndihma po fliste.
Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan e përshkroi Petron si një “baron i paligjshëm droge” i cili “nuk bën asgjë për të ndaluar” prodhimin e drogës në Kolumbi.
“Qëllimi i këtij prodhimi droge është shitja e sasive të mëdha në Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar vdekje, shkatërrim dhe kaos”, theksoi ai në postimin e tij.
Reagimi i Trump vjen pasi Petro akuzoi forcat e armatosura amerikane të shtunën për shkelje të ujërave territoriale kolumbiane dhe vrasjen e një peshkatari gjatë operacioneve të tyre në Karaibe, të cilat Uashingtoni i paraqet si një fushatë për të luftuar kartelet e trafikimit të drogës.
Top Channel