Mbrëmjen e sotme, në rubrikën “Exclusive”, do të keni mundësinë të ndiqni pamjet ekskluzive të një ndeshjeje që më në fund u mbyll në Serbi përballë Shqipërisë.

Një fitore kuqezi, një përgjigje për të gjithë terrorin, ankthin, tensionin dhe dhunën që na shkaktuan 11 vite më parë, por ndryshe nga ata, ne i mundëm në futboll, për të cilin kishim shkuar.

Luftuam për ëndrrën tonë sportive, atë të synimit të vendit të dytë që përkthehet në play-off-in e Botërorit dhe padyshim fituam për ëndrrën e të gjithë shqiptarëve, të cilët, falë këtyre 11 heronjve kuqezi në Leskovc – këtë herë jo në Beograd – ne treguam se jo vetëm nuk jemi si ata, por jemi mbi ta.

Për herë të parë do të shihni hotelin e kthyer në një fortifikatë nga policia serbe, autokolona, polici, xhandarmëri, forca speciale që vëzhgonin në çdo hap kuqezinjtë dhe ata pak shqiptarë fatlumë që ndodheshin atje për të ndjekur e mbështetur kuqezinjtë në atë ndeshje tensioni, presioni, por që as na trembi e as na zbrapsi, përkundrazi.

Një sukses i cili vjen 30 vjet pas fitores sonë të parë në transfertë, asaj me Moldavinë në vitin 1995, të drejtuar nga Neptun Bajko, i cili tregon çfarë do të thotë një sukses i tillë dhe kush është sot kjo kombëtare përballë përfaqësueses shqiptare, siç e quan ai ekipin që drejtoi në fillimin e viteve ’90.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta