“Pa Mbretër”/ Protestat anti-Trump zgjerohen në SHBA dhe Europë, bashkohen politikanët demokratë: Demokraci, jo diktaturë

19/10/2025 10:00

Mijëra qytetarë amerikanë kanë mbushur rrugët e qyteteve të mëdha si Nju Jork, Uashington DC, Çikago, Miami dhe Los Anxhelos, në protestat masive të quajtura “Pa Mbretër”, kundër politikave autoritare të Presidentit Donald Trump.

Në Times Square të Nju Jorkut, mbi 20 mijë vetë marshuan me pankarta ku shkruhej: “Demokraci, jo Monarki” dhe “Kushtetuta nuk është opsionale”. Sipas Policisë së Nju Jorkut, mbi 100 mijë protestues u mblodhën në pesë lagjet e qytetit pa asnjë incident apo arrestim.

Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, Presidenti Trump ka ndërmarrë veprime të diskutueshme, përfshirë shtrirjen e pushtetit presidencial dhe përdorimin e Gardës Kombëtare në qytete të ndryshme, veprime që kanë shkaktuar reagime të ashpra në mbarë vendin.

Aktivistë si Beth Zasloff dhe Massimo Mascoli, pjesëmarrës në protestat në Nju Jork, theksuan shqetësimet për një rrëshqitje të vendit drejt fashizmit dhe një qeverie autoritare, ndërsa theksuan rëndësinë e ruajtjes së demokracisë dhe të drejtave themelore.

Në një intervistë për Fox News, Trump iu përgjigj kritikëve që e akuzojnë për sjellje diktatoriale: “Një mbret? Nuk jam mbret”, tha ai me ironi.

Ndërkohë, kritikët e akuzojnë për shkelje të Kushtetutës dhe përpjekje për të shtypur zërat opozitarë. Ai gjithashtu ka kërkuar ndjekje penale për kundërshtarët politikë, duke ngritur shqetësime për lirinë e shprehjes dhe drejtësinë.

Politikanë demokratë bashkohen me protestuesit

Figura të njohura të Partisë Demokratike si Senatori Bernie Sanders, Chuck Schumer, Cory Booker dhe Adam Schiff, ishin të pranishëm në protesta, duke dhënë mbështetje për qytetarët që kërkojnë llogaridhënie dhe respekt për demokracinë.

Sanders deklaroi para turmës në Uashington DC: “Nuk e urrejmë Amerikën – e duam Amerikën, dhe prandaj jemi këtu.”

Reagime në Europë dhe Kanada

Solidariteti me protestuesit amerikanë është ndjerë edhe në Evropë dhe Kanada. Qytetarë në Berlin, Madrid, Romë, Londër dhe Toronto dolën në rrugë për të shprehur mbështetje, duke dënuar tendencat autoritare të administratës Trump.

Reagime të ashpra nga demokratët

Në disa shtete amerikane, guvernatorët republikanë urdhëruan mobilizimin e Gardës Kombëtare përpara protestave. Kjo masë u kritikua nga demokratët, të cilët e konsideruan një shenjë të sjelljes diktatoriale.

Sipas një sondazhi të fundit të Reuters/Ipsos, vetëm 40% e amerikanëve miratojnë mënyrën si po qeveris Presidenti Trump, ndërsa 58% nuk e mbështesin. Ky vlerësim është në linjë me periudhën e parë të mandatit të tij, por më i ulët se në janar kur rifilloi presidencën.

 

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta