“Më ra të fikët, s’e njoha babanë kur doli nga burgu”, rrëfimi rrëqethës i Adhurim Demirit në ‘Galeri’: Këndova 72 orë pa ngrënë, racionin ia lija vëllait

19/10/2025 20:16

Këtë javë i ftuar në studion e “E diell”, në rubrikën “Galeri” me Ed Manushin ishte këngëtari i njohur i viteve 80-90 Adhurim Demiri.

Një intervistë me shumë emocione, ai ka treguar periudhën e errët kur babanë e tij e dënuan në kohën e komunizmit, dhe sesi kur u liruar, ai nuk e njohu.

“Babi u dënua 25 vjet për puç ushtarak,  e çuan në Burrel, e më pas në Spaç ka bërë gati 12 vite burg. U tregua i zgjuar, i tha nënës ndahu, merr mbiemrin tënd, që të mos internoheshim. Motra e takonte, shkonte në Burrel se ishte e martuar me mbiemër tjetër, ajo na sillte informacione. Kur doli, unë nuk e njoha.

Shkuam e pritëm te treni, ku do zbriste… nuk e njoha. Unë prisja të shihja babanë, dhe më thotë burri i motrës ‘e ke në krah’, i thash ‘ku është mo?’… Sinqerisht ta them, mua më ka rënë të fikët. Nuk e njoha! Ai fliste dhe unë dridhesha. ‘Një gjë nuk mora vesh, bëra burg por nuk e di pse’, më tha…”, kujton mes emocionesh Demiri.

“Periudhën kur babai ishte i dënuar, kemi jetuar shumë keq. Mua më përjashtuan nga shkolla, vëllanë e çuan në Poliçan ushtar ,nëna e çuan në një gurore thyente gurë. Ana ekonomike ishte zero fare, tollonat i kishim shumë të diferencuara nga të tjerët. Unë kam arrit kam kënduar në skenë me 72 orë pa ushqim… sinqerisht nuk tallem. Pjesën time të ushqimit ia lija tim vëllai”, tregoi ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta