
Kombet e Bashkuara njoftuan se 20 anëtarë të stafit të tyre janë kapur nga rebelët Huthi në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, një ditë pasi këta të fundit ndërmorën një bastisje të re ndaj zyrave të OKB-së.
“Pesë anëtarë të stafit vendas dhe 15 anëtarë të stafit ndërkombëtar po mbahen në kompleksin e OKB-së që u shënjestrua nga rebelët të shtunën,” tha për AFP-në Jean Alam, zëdhënës i koordinatorit të përhershëm të OKB-së në Jemen.
Sipas tij, 11 punonjës të tjerë vendas të OKB-së janë liruar pas marrjes në pyetje, ndërsa ai theksoi se organizata është në kontakt me Huthit dhe palët e tjera për të “zgjidhur sa më shpejt këtë situatë serioze, për t’i dhënë fund ndalimit të gjithë stafit dhe për të rivendosur kontrollin e plotë mbi objektet e saj në Sanaa”.
Një ditë më parë, Alam kishte deklaruar se forcat e sigurisë së Huthit kishin hyrë “pa leje” në ambientet e OKB-së në Sanaa.
Rebelët kishin pushtuar gjithashtu zyrat e OKB-së në kryeqytet më 31 gusht, duke arrestuar rreth dhjetë punonjës, sipas OKB-së. Një zyrtar i lartë Huthi kishte pohuar se të arrestuarit dyshohen për spiunazh në favor të SHBA-së dhe Izraelit.
Ky incident i fundit ndodh në një kohë kur dhjetëra punonjës të OKB-së janë arrestuar gjatë muajve të fundit në zonat nën kontrollin e rebelëve jemenas.
Në një fjalim televiziv të enjten, udhëheqësi rebel Abdelmalek al-Houthi deklaroi se grupi i tij kishte shkatërruar “një nga qelizat më të rrezikshme të spiunazhit”, e cila sipas tij ishte “e lidhur me organizata humanitare si Programi Botëror i Ushqimit dhe UNICEF”.
Ndërkohë, Stephane Dujarric, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, i cilësoi akuzat si “të rrezikshme dhe të papranueshme”, pasi ato “rrezikojnë seriozisht sigurinë e stafit të OKB-së dhe punonjësve humanitarë, si dhe operacionet jetësore të shpëtimit”.
Në mesin e shtatorit, koordinatori humanitar i OKB-së për Jemenin u zhvendos nga Sanaa në Aden, selia e përkohshme e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të vendit.
Dhjetë vjet luftë civile kanë zhytur Jemenin, një nga vendet më të varfra të Gadishullit Arabik, në një nga krizat më të rënda humanitare në botë, sipas OKB-së.
Top Channel