
Shërbimi Sekret Amerikan ka zbuluar një vend të dyshimtë gjuetie pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Palm Beach, me pamje të drejtpërdrejtë nga zona ku Presidenti Donald Trump del nga avioni presidencial Air Force One.
Struktura u zbulua të enjten gjatë kontrolleve të sigurisë që zhvillohen përpara çdo mbërritjeje të Presidentit në Florida. FBI ka marrë drejtimin e hetimit, duke analizuar provat dhe duke përdorur mjetet e saj teknologjike për të identifikuar çdo person që mund të ketë qenë i përfshirë, shkruan Foxnews.
Sipas zyrtarëve amerikanë, struktura ngjante me një strehë gjuetie — një platformë të ngritur ose të fshehur që përdoret zakonisht nga gjuetarët për të pasur pamje të qartë ndaj një zone. Por pozicioni i saj, me vijë të drejtë shikimi ndaj pistës së uljes së Air Force One, ka ngritur dyshime serioze se mund të ishte përgatitur për qëllime të tjera.
“Asnjë individ nuk u gjet në vendngjarje dhe nuk pati asnjë ndikim në lëvizjet e Presidentit,” deklaroi shefi i komunikimit të Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, duke theksuar se incidenti tregon rëndësinë e masave të shumëfishta të sigurisë që zbatohen në çdo udhëtim presidencial.
Burime nga organet e rendit thanë se struktura mund të jetë ngritur muaj më parë. Hetimi po zhvillohet vetëm disa javë pasi Ryan Routh u shpall fajtor për përpjekje për vrasjen e Presidentit Trump në një fushë golfi në Palm Beach, ku ai kishte ngritur një pozicion snajperi në shkurre pranë gardhit.
Kjo përpjekje e dyshuar erdhi pas tentativës ku Trump u qëllua në vesh gjatë një tubimi elektoral në Butler, Pensilvani.
Top Channel