Armëpushimi në Gaza i brishtë, Ministria e Mbrojtjes izraelite paralajmëron Hamasin me sulme të reja

19/10/2025 17:05

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi Hamasin se do të paguante një “çmim të rëndë” për “çdo sulm” që synon ushtarët izraelitë dhe për “çdo shkelje të armëpushimit në Gaza”, thuhet në një deklaratë të zyrës së tij.

“Hamasi do ta mësojë me vështirësi sot se ushtria izraelite është e vendosur të mbrojë ushtarët e saj dhe të parandalojë çdo dëm që mund t’u ndodhë atyre”, tha Katz, pasi Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) nisën sulme ajrore në përgjigje të asaj që e quajtën sulme “terroriste” ndaj pozicioneve të tyre.

Një oficer i ushtrisë izraelite deklaroi se “ekziston mundësia e sulmeve të mëtejshme” kundër Hamasit, në përgjigje të asaj që ai e përshkroi si “shkelje të armëpushimit” nga organizata palestineze.

Oficeri, i cili po informonte gazetarët, theksoi se sot kanë ndodhur tre incidente, në të cilat persona të armatosur të Hamasit qëlluan ndaj trupave izraelite pas “Vijës së Verdhë”, zonë nga e cila forcat izraelite janë tërhequr sipas marrëveshjes së armëpushimit, në rajonet e Rafahut (jug) dhe Beit Lahiës (veri).

Në të njëjtën kohë, IDF përsëriti paralajmërimin e saj për palestinezët në Rripin e Gazës që të shmangin hyrjen në zonat nën kontrollin izraelit dhe të mos i afrohen trupave izraelite.

“Pas shkeljeve të përsëritura të marrëveshjes së armëpushimit dhe sulmit kriminal të nisur nga elementët terroristë të Hamasit këtë mëngjes, IDF do të përgjigjet me forcë të veçantë kundër infrastrukturës dhe elementëve terroristë të Hamasit,” deklaroi Avihai Andrai, zëdhënësi arabishtfolës i ushtrisë izraelite.

“IDF përsërit paralajmërimin e saj, për sigurinë tuaj dhe për shkak të sulmeve të vazhdueshme, qëndroni vetëm në anën perëndimore të Vijës së Verdhë,” shtoi ai.

Banorët e Gazës dhe autoritetet lokale shëndetësore raportuan se të paktën 11 persona u vranë sot nga sulmet ajrore dhe zjarri i artilerisë izraelite.

Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) dhe shërbimet e sigurisë që të “ndërmarrin veprime të forta kundër objektivave terroriste në Rripin e Gazës”, duke akuzuar Hamasin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, tha zyra e tij.

Sipas njoftimit, Netanyahu dha urdhrin “pas shkeljes së armëpushimit nga Hamasi” dhe pas “konsultimeve me ministrin e Mbrojtjes, Yisrael Katz, dhe krerët e shërbimeve të sigurisë.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta