
Donald Trump i tha të premten presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të bëjë një marrëveshje me Rusinë, duke zbehur shpresat e Kievit për raketat Tomahawk, ndërsa lideri amerikan rinis përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.
Trump kishte deklaruar vetëm muajin e kaluar se besonte që Ukraina mund ta rimarrë gjithë territorin e saj – por një ditë pasi ra dakord të takohej me presidentin rus Vladimir Putin për një samit të ri, ai ndryshoi qëndrim. Megjithatë, Zelensky nuk përjashtoi mundësinë që Trump të ndryshojë sërish mendim në të ardhmen.
“Është mirë që presidenti Trump nuk tha ‘jo’, por për sot ai nuk tha ‘po’ për dhënien e Tomahawk-ëve Kievit,” tha Zelensky për televizionin amerikan NBC të premten.
Pas takimit me Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, Trump shkroi në rrjetet sociale se bisedimet e tyre ishin “shumë interesante dhe miqësore, por i thashë atij, ashtu siç i sugjerova me forcë edhe presidentit Putin, se ka ardhur koha të ndalet vrasja dhe të bëhet një MARRËVESHJE!”.
“Ata duhet të ndalen aty ku janë. Le të pretendojnë të dy se fituan dhe le ta vendosë historia,” postoi ai në internet, ndërsa udhëtonte drejt rezidencës së tij në Florida. Pas uljes atje, ai u tha gazetarëve se Ukraina dhe Rusia duhet të “ndalen menjëherë në vijën e frontit.”
“Shkojini sipas vijës së frontit, kudo që është, përndryshe bëhet shumë e ndërlikuar,” shtoi ai.
Ndërkohë, Zelensky tha pas takimit se Rusia “ka frikë” nga raketat amerikane me rreze të gjatë veprimi Tomahawk, dhe se ai ishte “realist” për mundësinë e marrjes së këtyre armëve nga Uashingtoni. Ai u tha gazetarëve se megjithëse me Trumpin diskutuan për armë me rreze të gjatë, “vendosëm të mos flasim për to sepse… Shtetet e Bashkuara nuk duan përshkallëzim.”
Zelensky shkoi në Uashington pas javësh thirrjesh për raketat Tomahawk, me shpresën për të përfituar nga frustrimi në rritje i Trump ndaj Putinit, pas një samiti në Alaska që nuk solli përparim. Por presidenti ukrainas u largua pa asgjë konkrete, ndërsa Trump synon një tjetër sukses diplomatik pas marrëveshjes për paqe në Gaza javën e kaluar.
Trump është treguar shumë më optimist për mundësinë e një marrëveshjeje që pas bisedës së gjatë me Putinin të enjten, në të cilën ranë dakord të takohen së shpejti në Budapest.
“Shpresoj të mund t’i japim fund luftës pa menduar për Tomahawk-ët,” tha Trump para gazetarëve, ndërsa priste Zelensky-n. Trump shtoi se beson që Putin “do ta përfundojë luftën.” Zelensky, që kishte shkuar për të kërkuar armët amerikane me rreze të gjatë, tha megjithatë se do të ishte gati të shkëmbejë “mijëra dronë ukrainas” në këmbim të raketave Tomahawk.
Top Channel