
Burg pa afat ka qenë masa e arrestit të dhënë për Kamber Sulçen nga Gjykata e Shkallës së Parë të Gjirokastrës, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi.
Fillimisht ka qenë prokurorja e çështjes, Blerina Musabelli, ajo e cila ka paraqitur aktet me të cilat grupi hetimor pati marrë në vendngjarje e më pas të gjitha rrethanat që e kanë shoqëruar këtë situatë deri në vetdorëzimin e Kamber Sulçes tri ditë më parë në organin e akuzës.
Më pas avokati i Sulçes, i ardhur nga Vlora, Arsenal Zotaj, ka paraqitur në seancë ndër të tjera dhe faktin e vetdorëzimit të klientit të vet para 3 ditësh, çka është një rrethanë lehtësuese e cila mund të merret në konsideratë nga kryesuesja e seancës.
Vetë Kamber Sulçe ka qëndruar i heshtur gjatë gjithë seancës së vlerësimit të masës së arrestit dhe nuk ka folur asnjë fjalë.
Pas gjithë kësaj, kryesuesja e seancës, njëkohësisht dhe kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë, Entela Selmanaj, ka dhënë vendimin e vlerësimit të masës: “Burg pa afat”.
Mësohet se pas dhënies së vendimit në fjalë, avokati i të pandehurit është shprehur se do ta ankimojë në Gjykatën e Apelit në kryeqytet.
Top Channel