
Një gjyqtar në Poloni ka refuzuar të ekstradojë një shtetas ukrainas të kërkuar nga Gjermania për dyshime mbi sabotimin e tubacioneve të gazit Nord Stream në shtator të vitit 2022, duke e cilësuar sulmin si një akt të drejtë nëse është kryer nga Ukraina.
Volodymyr Zhuravlyov, i cili u soll në Gjykatën e Qarkut të Varshavës në pranga, ishte arrestuar muajin e kaluar në Poloni pas një urdhri arresti europian të lëshuar nga Gjermania.
Gjykatësi Dariusz Lubowski urdhëroi lirimin e tij, duke shkaktuar habi të madhe në sallën e gjyqit dhe një buzëqeshje të dukshme nga i pandehuri.
Zhuravlyov akuzohet, së bashku me persona të tjerë, për vendosjen e eksplozivëve nën Detin Baltik, në tubacionet që lidhin Rusinë me Gjermaninë. Shpërthimet dëmtuan rëndë një nga rrugët më të rëndësishme të furnizimit me gaz rus drejt Evropës.
Fillimisht, fajësia u drejtua nga Moska, por më vonë nisën të shfaqeshin dyshime për përfshirje të mundshme të Ukrainës, gjë që Kievi e ka mohuar kategorikisht.
Rastet e ekstradimit brenda Bashkimit Evropian zakonisht zgjidhen me shpejtësi, por ky rast po rezulton të jetë një përjashtim i rrallë, duke reflektuar ndjeshmërinë e çështjes Nord Stream dhe tensionet gjeopolitike që e rrethojnë atë.
Kryeministri polak Donald Tusk, qeveria e të cilit është një aleat i ngushtë i Ukrainës, reagoi menjëherë pas vendimit, duke shkruar në platformën X se “vendimi ishte i drejtë”.
Top Channel